Muhamet Rrumbullaku, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka deklaruar këtë të shtunë se perimetri i sigurisë së Samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë, do të jetë i paprekshëm dhe strukturat janë angazhuar në maksimumin e kapaciteteve të veta.
Në një konferencë për mediat, ai tha se janë marrë masa që aktivitetet e tjera të vijojnë normalisht, edhe protesta e PD, nëse organizatorët do kërkojnë ta zhvillojnë atë diku tjetër, pasi Kryeministria dhe Bulevardi është pjesë e perimetrit të sigurisë.
“Për të garantuar rendin dhe sigurinë, në rrugëkalimet e delegacioneve dhe në vendin ku do zhvillohet Samiti, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, duke bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese brenda vendit, me ekspertë të sigurisë së vendeve të BE-së, si dhe me organizatat ndërkombëtare INTERPOL dhe EUROPOL, për shkëmbimin në kohë të informacioneve”, shtoi drejtori i Policise.
“Policia e Shtetit nuk ka patur dhe nuk do të ketë asnjë prirje për të ndaluar apo spostuar asnjë protestë, por në këtë rast, siguria e 32 delegacioneve shtetërore me liderët e tyre nga BE dhe Ballkani Perëndimor, e delegacionit të Presidentit të Këshillit, e Presidentes së Komisionit dhe e të gjithë personaliteteve VIP të kategorisë së autoriteteve të larta shtetërore, na imponon që të vëmë sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare mbi dëshirën gjeografike të një grupi protestuesish”, shtoi Muhamet Rrumbullaku.
Përsa i përket lëvizjes së qytetarëve, kryepolici i Shqipërisë kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve që ushtrojnë aktivitetin apo jetojnë në zonat që janë brenda perimetrit të sigurisë, pasi mund të ketë disa kufizime. Megjithatë, ai garantoi se lëvizja e lirë në këmbë do jetë e lejueshme.
Në çdo kryqëzim në kufijtë e perimetrit të sigurisë, do të ketë efektivë të Policisë së Shtetit dhe persona të caktuar enkas, për të garantuar maksimalisht komunikimin dhe orientimin e qytetarëve në drejtime të tjera jashtë zonës së sigurisë. “Qarkullimi me mjete personale apo shtetërore do jetë i ndaluar”, tha Muhamet Rrumbullaku.