Drejtori i Tatimeve, Ceno Klosi “fajdexhi”? Zheji e Lubonja: SPAK ta hetojë, mos hezitojë! Preçi: Postet publike mbrojnë abuzuesit

0
161
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi denoncoi  emërimet pa kriter në poste të rëndësishme shtetërore, të cilat sipas tij përdoren si mburojë për pushtetarët që abuzojnë me detyrën.

Preçi shpreh shqetësimin se është shumë shokuese kur shikon që figura që janë rekomanduar për largim nga shërbimi civil marrin poste të rëndësishme shtetërore, duke injoruar vetë rolin që ka agjencia shtetërore që mbahet me paratë e taksapaguesve. Rasti më flagrant është ai i drejtorit të Tatimeve Ceno Klosi, i cili pak muaj pasi KLSH-ja kishte evidentuar shkelje të shumta të tij gjatë detyrës së mëparshme si drejtor ekonomik dhe finance në OSHEE, u emërua drejtor i Përgjithshëm i tatimeve.

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, shprehet se në të shumtën e rasteve qeveria nuk zbaton rekomandimet e institucioneve audituese, siç është Kontrolli i Lartë i Shtetit, të cilat kërkojnë largimin e punonjësve nga puna duke i injoruar ato. “KLSH-ja ka përgatitur regjistër të posaçëm për ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve që bën kjo agjenci për poste të ndryshme dhe është shumë shokuese kur shikon që figura që janë rekomanduar për largim nga shërbimi civil për një periudhë kohe ose për ndjekje penale marrin poste të rëndësishme shtetërore, duke injoruar vetë rolin që ka agjencia shtetërore që mbahet me paratë e taksapaguesve”, deklaroi z. Preçi.

Eksperti shprehet se emërimi në poste të larta drejtuese i personave që janë kapur me shkelje në poste të tjera, tregon se ata po mbrohen nga qeveria dhe ky është një sinjal negativ për qytetarët. “Sot, persona më të anatemuar nga elita politike apo kasta drejtuese në momentin që janë të tillë të dyshuar për abuzim me detyrën u ofrohet post i lartë publik për t’i mbrojtur pra po përdoren poste të larta publike si një koracë përball hetimit, përball ndëshkimit kjo dëshmon rolin e pamjaftueshëm të Parlamentit, të shoqërisë civile të opozitës”, deklaroi Preçi.

Eksperti shprehet se përgjegjësia për këtë situatë është e vetë Kryeministrit, detyrimi i të cilit është të japë llogari para taksapaguesve të këtij vendi për të gjitha dështimet në qeverisje. “Është për të ardhur keq që deklarimet zyrtare te kryeministrit dhe zyrtarëve të lartë janë që secili mban përgjegjësi veten e vet, nuk e dënim në një kohë që përgjegjësia është para taksapaguesve. I mandatuari për të qeverisur ka detyrimin të raportoj para taksapaguesve dhe është përgjegjës për sukseset dhe dështimet të gjithë atyre që e shoqërojnë”, deklaroi Preçi.

Për rastin e Ceno Klosit, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar në librat e blerjes të OSHEE-së vonesa në deklarimin e faturave të blerjes me TVSH. Këto veprime nuk pasqyrojnë detyrimet e sakta në kohë të shoqërisë, për pagesat e TVSH-së.  Në rastet e vonesave të tilla të deklarimit të TVSH-së, bizneset private rrezikojnë penalitete dhe gjoba të majme nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, që sot drejtohet nga Ceno Klosi. “News24” zbuloi se adresa e biznesit që vetë Ceno Klosi ka deklaruar se disponon në Angli, është një vilë luksoze në një zonë rezidenciale mjaft të shtrenjtë. Shoqëria “First bar limited”, me adresë numër 29 në Blackwood Close, West Byfleet, ku drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve është aksioner me 33%, është një vilë me pishinë, kopsht, 4 dhoma gjumi, tri dhoma ndenjeje, tri banja, garazh dhe mjedise të tjera.

Çmimi i vilës në 2001 ka qenë 435,000 paund, në 2010 ka arritur në 775,000 paund dhe sot kushton mbi 1 milion paund. Ky çmim është listuar nga agjencitë imobiliare angleze dhe duke shfletuar në internet fotot e vilës, ku Ceno Klosi, ka regjistruar biznesin në Angli, kupton se ajo është një pronë luksi. Por, Ceno Klosi nuk ka dhënë asnjë informacion në deklaratën e tij të pasurisë për këtë fakt, duke mbajtur të fshehur informacionin për biznesin e tij britanik.

Zjarr Tv Ad