Presidenti Ilir Meta i është rikthyer edhe njëherë temës së nxehtë të tezës së propaganduar nga Rama, Thaçi dhe Vuçiç për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë; projekt që u rrëzua në Samitin e Berlinit por ku edhe Presidenca e Shqipërisë ka mbajtur në qëndrim kundër.
Në një postim të fundit, Meta i ka cilësuar delirime patriotike këto teza, madje një diabolizëm të përpjekjes së politikanëve autoritarë, të koordinuar, me qëllim për të mos dhënë llogari para popullit të tyre.
‘Dëgjojmë shpesh: “Pse të mos bashkohen të gjithë shqiptarët? Pse të mos bashkohen të gjithë serbët? Pse të mos bashkohen të gjithë kroatët? Pse të mos bashkohen të gjithë boshnjakët?” Këto delirime, gjoja patriotike, më shumë se sa folklorizëm, janë një diabolizëm i gjallë. Është një përpjekje e politikanëve autoritarë, shpeshherë në mënyrë të koordinuar, për t’u shmangur nga llogaridhëniet e brendshme dhe për të provokuar tema që spostojnë vëmendjen e opinionit dhe përgjegjësitë e tyre.”