Mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike u shoqërua me debate të forta mes kryedemokratit Basha dhe deputetëve, disa prej të cilëve i kanë kërkuar edhe largimin.
Deputeti i Shkodrës, Helidon Bushati, ka kërkuar nga Basha që të zhvillohet një Kongres pajtimi me Komisionin e Rithemelimit, pasi kjo është në të mirë të Partisë Dmeokratike.
“Nuk e kuptoj deklaratën tënde. Duhet të jemi përtej egos, e shkatërruat PD ju dhe Berisha. Duhet kongres pajtimi. Të bashkohemi. Duhet të gjithë ne këtu dhe kolegët tanë të Shtëpisë së Lirisë të kalojmë përtej egove personale për të mirën e PD. T’i hapet rruga zgjedhjeve. Duhet kongres pajtimi me pjesëmarrjen e të dy rrymave ku për të mirën e përgjithshme disa duhet të bëjnë një hap prapa”, ka thënë Bushati.
Por kryedemokrati Basha është shprehur se Berisha kërkon ta marrë PD-në për t’u mbrojtur nga “non grata”, ndaj ka dy rrugë: ose PD t’i jepet Berishës, ose të gjithë të riorganizohet partia.
“Dy rrugë ka. Ose rrimë bashkë e bëjmë riorganizim ose ja dorëzojmë Sali Berishës. Synimi Berishës është ta marrë PD për tu mbrojtur nga non grata”, tha Basha.