Duma: Opozita duhet të bindë, mision jo vetëm rrëzimi i qeverisë

0
25
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ish-deputetja Grida Duma paralajmëron se në rast mosreflektimi nga ana e kryeministrit Edi Rama radikalizimi i mëtejshëm është i paevitueshëm. Zj.Duma thotë për “Gazeta Shqiptare” se për opozitën nuk është sfidë të bindë qytetarët se Edi Rama duhet të ikë; sfida e opozitës është ta realizojë politikisht largimin e tij. Por Grida Duma beson se opozita mund të sakrifikojë mandatet, por në asnjë mënyrë s’do të sakrifikojë rolin dhe qenien e saj. Zj.Duma i kujton lidershipit të PD-së se opozita duhet të jetë bindëse në përpjekjen e saj për të treguar se di të ndërtojë qeverisje, jo thjesht të rrëzojë qeveri. Ndërsa Edi Ramës i bën të qartë se është mendjelehtësi të përpiqesh të injorosh një opozitë që lufton, duke ndërmarrë sipas saj hapin qesharak të zëvendësimit të saj me dordolecë politikë. Për kundërshtitë e ndërkombëtarëve ndaj aksionit të opozitës, Grida Duma shprehet se nuk mund të injorohen shqetësimet e tyre, por ajo përmend së opozita po sakrifikon nga vetja pikërisht për të ruajtur thelbin e institucioneve kyçe të demokracisë.

Zj.Duma, Shqipëria aktualisht është në protestë për cilat arsye? Edhe sa kohë opozita do t’i nxjerrë njerëzit në shesh?

Opozita ka kryer veprimin politik fundor, ka djegur mandatet. Ishte një akt politik i kryer me besim të plotë në atë që ne të gjithë besojmë – rruga e vetme për t’u përballur me sistemin politik aktual, është dalja prej këtij sistemi. Për pasojë opozita është e vetëdijshme se ky hap nuk ka kthim pas. Opozita do të përfaqësohet nga protesta dhe sot opozita është vetë protesta. Sa kohë opozita është në sheshet e Shqipërisë protestat do vijojnë pa asnjë limit.

Shqiptarët janë të pakënaqur me qeverisjen socialiste, por Edi Rama vazhdon të jetë kryeministër. Si po i bindni qytetarët që ta rrëzojnë atë nga pushteti?
Rënia e Edi Ramës nuk lidhet vetëm me bindjen e shumicës së qytetarëve se ai duhet të ikë. As vetëm me besimin e opozitës se ai duhet larguar. Mendoj se këto dy rryma janë takuar prej kohësh. Shumica e heshtur e qytetarëve nuk e do Ramën. Opozita sot e merr forcën dhe aksionin e saj politik radikal pikërisht, sepse qytetarët janë të bindur që Edi Rama duhet të ikë edhe formalisht. Sepse qeverisja ka rënë. Edi Rama është kryeministër i rënë jo si individ; kryeministri është qeverisja, qeverisja është mirëqenie ose jo për qytetarët. Ne 6 vite të qeverisë, Rama ka sakrifikuar pa mëshirë jetën dhe mirëqenien e qindra-mijëra shqiptarëve. Ikja në masë nga Shqipëria nuk është thjeshtë pasoja e një ngërçi të momentit. Është shenja e dëshpërimit të shqiptarëve, një dëshpërim që nuk mbulohet dot me një, dhjetë, apo njëzet samite diaspore. Ikja në masë edhe e atyre që kanë një profesion të mirë, të ardhura të kënaqshme, por që gjithsesi zgjedhin të jetojnë tjetërkund, është barometri më i qartë i plakjes dhe shkretimit të së nesërmes. Për shqiptarët është e qartë që me Ramën e sotmja është po aq e keqe sa ç’është e nesërmja e pashpresë. Ikja e Edi Ramës është një mënyrë për t’i thënë ndal ikjes së qytetarëve. Për opozitën nuk është sfidë të bindë qytetarët se Edi Rama duhet të ikë; sfida e opozitës është ta realizojë politikisht largimin e tij. Dhe opozita do ta bëjë këtë.GSh.al

Zjarr Tv Ad