Dunford: Nuk ka plane për tërheqjen e trupave nga Afganistani

0
23
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Shefi i Shtabit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjenerali Joseph Dunford tha se është shumë herët për të folur për të ardhmen e forcave anti-terroriste të Shteteve të Bashkuara në Afganistan.

Gjenerali Dunford u tha gazetarëve në Pentagon të mërkurën se ushtria amerikane nuk ka plane për të tërhequr trupat nga vendi. Shtetet e Bashkuara kanë negociuar me kryengritësit talibanë që nga viti i kaluar me qëllimin për t’i dhënë fund luftës 18-vjeçare. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Zlatica Hoke njofton se në raundin e fundit të bisedimeve që po zhvillohet aktualisht në Doha të Katarit, duket se është bërë përparim.

Një zëdhënës i delegacionit të Talibanëve në Doha tha se palët janë afër një marrëveshje që parashikon tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani në këmbim të një angazhimi të Talibanëve për të mos e kthyer Afganistanin në një strehë të sigurt për terroristët. Zyrtarët e Talibanëve u cituan të thonin se sipas marrëveshjes, trupat amerikane do të tërhiqeshin nga Afganistani brenda dy viteve.

Në Uashington, gjenerali Joseph Dunford, tha se është herët të flitet për tërheqje.

“Mjedisi operacional do të ndryshonte qartë pas bisedimeve, por unë mendoj se duhet të bëjmë vlerësimin e gjendjes. Unë pastaj do t’i dërgoja një rekomandim sekretarit (të mbrojtjes, Mark Esper), dhe do të flisnim me presidentin”.

Ndërkohë, zyrtarët në Afganistan thanë të mërkurën se militantët talibanë kishin vrarë të paktën 14 anëtarë të milicisë pro-qeveritare në një sulm terrorist në provincën perëndimore të Heratit, një nga sulmet e shumta që kanë ndodhur gjatë bisedimeve të paqes.

“Në mjedisin aktual sot dhe nivelin e dhunës të lidhur me kryengritjen mendoj se ne dhe afganët pajtohemi se njëfarë mbështetje është e nevojshme. Kjo është arsyeja pse ne kemi forca në terren brenda Afganistanit sot”, tha gjenerali.

Talibanët sunduan Afganistanin nga viti 1996 deri në vitin 2001, kur një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ndërhyri në vend për t’i dhënë fund regjimit brutal. Afganët kanë frikë se tërheqja e Shteteve të Bashkuara do ta zhyste vendin në një konflikt tjetër të përgjakshëm. Gratë kanë frikë se atyre do t’u ndalohej përsëri arsimimi, punësimi dhe liria e lëvizjes.

“Tani për tani, talebanët janë kundër grave dhe arritjeve të tyre. Nëse ata pranojnë gratë dhe arritjet e tyre në një marrëveshje paqeje, kjo do të ishte një gjë shumë e mirë. Por nuk do të jetë mirë nëse arrihet paqja pa u dhënë grave të drejtat e tyre”,thotë studentja Somaya Mustafa.

Negociatorët talibanë kanë hedhur poshtë bisedimet me qeverinë afgane, duke e quajtur atë një kukull të Shteteve të Bashkuara. Por zyrtarët e amerikanë thonë se bisedimet mes afganëve janë parakusht për çdo paqe të qëndrueshme në vend. Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani thotë se ai do të jetë një negociator i fortë.

“Talibanët janë një pjesë e këtij vendi, por ata nuk mund të përcaktojnë fatin e vendit. Zgjedhjet janë e drejta legjitime e popullit afgan, dhe ata duhet të zgjedhin qeverinë e tyre të ligjshme”.

Negociatorët amerikanë shpresojnë të arrijnë një marrëveshje me Talibanët para zgjedhjeve presidenciale të Afganistanit që do të mbahen më 28 shtator./VOA

Zjarr Tv Ad