DW: Kriza politike vazhdon, dialogu duket i vështirë

0
13
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca ftoi palët politike në Shqipëri të ulen në tryezën e bisedimeve për gjetjen e një kompromisi për daljen nga kriza politike dhe institucionale, shkruan Deutsche Welle.

Afrimi i tetorit, kur Këshilli Europian do të marrë vendimin për Shqipërinë lidhur me negociatat e anëtarësimit, ka shtuar thirrjet e BE për uljen e palëve në tryezën e bisedimeve dhe gjetjen e një kompromisi për daljen nga kriza politike dhe institucionale, që vazhdon prej 7 muajsh. Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca ftoi të premten, (13.09.2019), partitë politike të ulen në dialog për të arritur këtë qëllim dhe shtuar shanset e një vendimi pozitiv nga Brukseli. “Kontaktet mes qeverisë dhe aktorëve të tjerë politikë duhet të vazhdojnë në 5 javët në vijim përpara takimit të Brukselit”, tha Soreca të premten pas nënshkrimit me qeverinë Rama të Marrëveshjes financiare IPA ( Instrumenti i Para Anëtarësimit). Soreca sugjeroi reformën zgjedhore si shtysë për të nisur dialogun me opozitën jashtë parlamentit, të cilën e quajti ” diçka specifike”

„Reforma zgjedhore është e rëndësishme dhe e nevojshme, pasi do të sillte një gjë të rëndësishme për qytetarët e Shqipërisë, për zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre. Mbi 90 për qind e qytetarëve shqiptarë që i përkasin gjithë spektrit politik të shoqërisë shqiptare dëshirojnë që Shqipëria të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Europian. Prandaj të gjithë politikanët duhet të përfshihen në këtë dialog”, argumentoi Soreca.

Por dialogu për këtë duket i vështirë për momentin, edhe pse reforma zgjedhore është reforma e dytë e rëndësishme, pas Reformës në Drejtësi, edhe pse kryerja e saj do të bëjë të mundur ndarjen nga zgjedhje „atipike, pa pjesëmarrjen e opozitës”, gjë për të cilën të gjitha partitë janë të interesuara. Partitë e vogla opozitare jashtë parlamentit përfshirë edhe LSI kanë dhënë sinjale, se edhe mund të ulen në tryezën e bisedimeve për reformën zgjedhore. Por Partia Demokratike, që kryeson këtë opozitë, nuk jep asnjë shenjë gatishmërie për të filluar dialogun me qeverinë dhe maxhorancën socialiste për këtë reformë. Thirrjeve të BE dhe faktorit ndërkombëtar, ftesës së kryeministrit Rama dhe mazhorancës socialiste për bashkëpunim dhe dialog ajo i përgjigjet me paralajmërimin për rifillimin e protestave antiqeveritare, largimin e kryeministrit Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe zgjedhje të parakohshme, si e vetmja rrugë e daljes nga kriza e shkaktuar, që opozita e konsideron të shkaktuar nga lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar dhe manipulimin e zgjedhjeve.

Zjarr Tv Ad