DW Ramës: Fasadë! Shumë para për pak punë

0
21
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

S(ulltan H)amiti e quan me ironi shkrimtari gjuhëmprehtë Agron Tufa Samitin e Dytë të Diasporës që po zhvillohet në datat 1 dhe 2 mars në Tiranë. Ironia pasqyron paksa edhe pakënaqësinë që ndjehet tek gjithnjë e më shumë qytetarë të Shqipërisë prej tashmë disa muajsh ndaj politikës aktuale në vend e që Tufa e përmbledh me fjalët: “fasadë, propagandë, korrupsion”. Shkrimtari nga Tirana, i njohur për gjuhën e tij polemizuese, nuk është i vetmi që përdor fjalë kaq të ashpra ndaj samitit.

As Ardian Vehbiu nga Nju Jorku, shkrimtar dhe administrator i blogut “Peizazhe të Fjalës”, nuk heziton ta quajë samitin një “shaka të shpëlarë”. Ndërsa Tufa bën analogji me periudhën osmane, Vehbiu sjell në kujtesë një periudhë më të afërt nga e kaluara e Shqipërisë, nisur dhe nga motoja e samitit “E gjithë vëmendja për diasporën”, që sipas Vehbiut, rimerr një moto të Partisë Socialiste:

“E gjithë vëmendja për ju.” Për mua, ky “samit” është diçka midis karnavalit dhe festivalit folklorik – një festë me kostume dhe buzëqeshje të subvencionuara. Ndoshta pushteti në Shqipëri ka nevojë për vaki të tilla – shqiptarët që jetojnë anembanë botës dhe që nuk kontribuojnë për këtë klasë politike jo”, përfundon Vehbiu për DW.

Ai vetë, megjithëse tashmë një figurë e njohur ndër intelektualët e diasporës, nuk është ftuar në këtë samit. Blogu i drejtuar prej tij nuk i ka kursyer kritikat ndaj politikave në vend, sidomos në fushën e kulturës dhe mjedisit.

Shumë fjalë e pak vepra

Por nuk janë vetëm të paftuarit ata që janë kritikë ndaj Samitit të Dytë të Diasporës. Rando Devole, sociolog dhe ekspert në fushën e migracionit, ka marrë pjesë në samitin e kaluar dhe madje për këtë samit është propozuar për Këshillin e Kombëtar të Diasporës, por pa dijeni te tij. Por ai e vëzhgon për së largu, nga Roma, tubimin e dytë madhështor të mërgatës në atdhe.

Edhe ai i thotë DW-së se sheh një rrezik që Samiti i Dytë të shndërrohet në “një fasadë për retorikën e radhës”. Devole konstaton se përparimet e bëra nga samiti i parë i diasporës, në nëntor të vitit 2016, janë shumë të vogla: Deri tani janë ngritur Agjencia Kombëtare të Diasporës. Fondi i Zhvillimit të Diasporës dhe Qendra e Botimit për Diasporën, por sipas Devoles, aktiviteti i tyre është minimal.

“Diaspora ka vite që i kërkon shtetit shqiptar akte konkrete, të prekshme, fundja të realizojë atë që ai vetë deklaron e premton me të madhe në dokumente zyrtare, por, në thelb, jemi ende në nivelin e fjalëve dhe njoftimeve”, i tha Devole Deutsche Welle-s.

I pakënaqur është Devole edhe me përgatitjet për Samitit të Dytë. Rando Devole kërkonte këto ditë me dëshpërim në rrjet listën e folësve në panel, e cila u bë e njohur vetëm një ditë para samitit, për të një mangësi që flet për mungesën e seriozitetit në lidhje me çështjet e diasporës.

Shumë para për pak punë

Por një gjë ia vret sytë shumë vetëve në këtë samit, dhe kjo jo vetëm Elezit: Kostoja që ai do t’i kushtojë tatimpaguesit shqiptar. Në rrjetet sociale qarkullon një listë me shpenzimet e samitit që në total janë 67 milionë lekë (afro 500 mijë euro) që do të thotë, më shumë se dyfishi i samitit buxhetit vjetor të paraparë për projekte me diasporën. Ndërkohë që vetë vizitorët vijnë me shpenzimet e tyre. Kostot janë vetëm për eventin, transportin, kancelari dhe dekor etj., shuma këto, që në Shqipërinë e varfër konsiderohen tepër të majme.

Përfaqësuesit e shoqatës GERMIN, Liza Gashi nga Prishtina dhe Mark Kosmo nga Bostoni, i kanë nisur prej kohësh një letër ministrit të diasporës, Pandeli Majko, ku ndër të tjera i luten që t’i ulë shpenzimet e samitit dhe, ç’është më e rëndësishmja, që shpenzimet në lidhje me politikat e Diasporës të bëhen transparente. Por, Mark Kosmo i thotë DW-së se deri tani nuk ka marrë ende përgjigje. “Ndoshta e merr kolegia ime Liza Gashi, e cila është një nga folëset në program”, sqaron ai më tej. Edhe Deutsche Welle u përpoq në disa mënyra të merrte një përgjigje nga Ministria e Diasporës për buxhetin e samitit, por pa sukses.

 

Zjarr Tv Ad