DW: Sa dhunë duhet të tregojë media?

0
34
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Deutsche Welle është besnike ndaj realitetit. Edhe kur ai është i tmerrshëm. Po ku e vendosim ne kufirin? Kur duhet të tregojmë përmbajtje dhune e kur jo? Kryeredaktorja, Ines Pohl me disa parime bazë të DW-së.

Nga Deutsche Welle

Shpërthimet e dhunës po e trondisin botën tonë. Si në Kili, Bolivi, Siri, Hongkong, brutaliteti duket se po merr përmasa të reja përditë. Përplasjet mes policisë dhe demonstruesve në Hongkong arritën një pikë kulmore të trishtë në fillim të kësaj jave.

Mëngjesin e së hënës, një polic hapi zjarr disa herë ndaj demonstruesve, një prej tyre u plagos rëndë. Në të njëjtën ditë më vonë, një personi që dënoi dhunën e demonstruesve radikalë, iu derdh lëng djegës dhe iu vu zjarri. Edhe ai është në gjendje të rëndë. Videot me filmime të shumta të smartphonëve shpërndaheshin në internet gati në kohë reale.

Nëse është i mundur një kategorizim i dhunës, atëherë pamjet e këtij burri që digjet, janë tejet shokuese, të shëmtuara, dhe zor të tejkalueshme në brutalitetin që përmbajnë.

Realiteti të mos fallsifikohet

Për ne në Deutsche Welle, transmentuesin ndërkombëtar të Gjermanisë, që publikon në 30 gjuhë, këto ditë shtrohet më fort se kurrë pyetja – çfarë pamjesh, çfarë videosh janë të lejueshme për t’u publikuar. Sa dhunë është e përballueshme për publikun? Këto pyetje, shtrohen edhe duke pasur parasysh kulturat e ndryshme. Cilat pamje janë të padurueshme, cilat pa respekt? Kur i bëjmë viktimat edhe një herë të tjetër viktima me raportimin tonë, sepse u marrim dinjitetin, nganjëherë edhe përtej vdekjes? Nga ana tjetër: në cilën pikë fillojmë të fallsifikojmë realitetin, sepse nuk tregojmë më, se çfarë ka ndodhur vërtet?

Pyetje të vështira, që ne i diskutojmë përditë, dhe për të cilat shpesh vendimi merret për çdo rast më vete, për shkak, se gjithmonë varet nga konteksti i rastit konkret, forca simbolike e regjistrimeve të momentit, që dalin përtej çastit aktual. Pamjet e njerëzve që hidheshin nga dritaret e kullave binjake që digjeshin më 11 shtator 2001, janë një provë për këtë.

Formim i pavarur i opinionit

Vendime të tilla ne i marrim mbi bazën e misionit tonë. Ne duam me punën tonë të mundësojmë formimin e opinionit të pavarur. E në bazë të kësaj, ne as nuk mbështesim parti të caktuara, shoqata politike apo komunitete fetare. Akte të dhunshme mizorie kundër njerëzve, ato që shprehin glorifikim apo minimizim të një dhune të tillë, apo ato që e paraqesin veprimin mizor a çnjerëzor në një formë që lëndon dinjitetin njerëzor ne nuk i tregojmë. Dhe ne e kemi bërë si kriter të punës, që viktimat e dhunës, të mos i bëjmë edhe njëherë viktima përmes raportimit tonë, duke treguar për shembull, si ata ndërrojnë jetë, apo si u shkaktohen vuajtje të mëdha trupore apo shpirtërore.

Por ka raste përjashtuese. Pikërisht atëherë, kur pikërisht për këtë formë të paraqitjes apo raportimit, ka një interes me të drejtë të opinionit publik. Në rastin e Hongkongut, ne vendosëm të tregojmë si pamjet e demonstruesit të qëlluar, ashtu edhe të një burri që digjet. Me qëllim që publiku ynë në këtë konflikt ekstremisht të polarizuar të krijojë opinionin e tij. Në rastin e burrit që digjet, vendosëm të mos tregonim video, por publikuam foto. Ne e paraqesim këtë ngjarje kaq të pabesueshme, sepse nuk e zhbëjmë dot atë dhe nuk duam ta zhbëjmë. Por nuk tregojmë video, për të mos e bërë gjithnjë të klikueshme dhimbjen e tmerrshme të tij përmes pamjeve filmike.

Opinione të ndryshme

Këto janë vendime, që ne nuk i marrim aq lehtë, dhe nuk duhet t’i marrim madje lehtë. Për këto vendime në redaksitë tona ka qëndrime të ndryshme. Ne jemi vetëdijshëm, se i hyjmë një rreziku, me atë që mund të bëhemi ndihmës të autorëve të krimit, atyre që inskenojnë dhunën konform mediave sociale para kamerave të celularëve, me qëllim që ajo të publikohet në të gjithë botën.

Duhet të kemi parasysh, se sfida të tilla në të ardhmen do të shtohen, nuk do të pakësohen. Dhe pikërisht ne gazetarët, duhet të veprojmë në mënyrë shumë të vetëdijshme kundrejt ambientimit me pamjet e tmerrshme dhe mpirjes që shkon paralelisht me të.

Zjarr Tv Ad