Dy data kur mund të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme në Kosovë

0
1

E diela e fundit e muajit shtator dhe e diela e parë e muajit tetor janë datat më të përafërta kur pritet të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend. Analistë e ish-deputetë thonë se zgjedhjet duhet të caktohen jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit.

29 shtatori dhe 6 tetori i këtij viti mbeten datat më të përafërta për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, shkruan INA. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës zgjedhjet e parakohshme caktohen nga presidenti jo më vonë se 10 ditë pas shpërndarjes.

Adnan Rrustemi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se zgjedhjet mund të mbahen jo më herët se 30 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes. Ai ka thënë se janë duke e pritur presidentin që të caktojë datën e zgjedhjeve dhe si Komision pastaj do të fillojnë me organizimin e tyre.