Dy fëmijë kanë ndërruar jetë nga gripi gjatë ditëve të fundit në FYROM. Edhe pas trajtimit intensiv mjekësor në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve në Shkup, ata kanë ndërruar jetë, për shkak të komplikimeve të rënda dhe ndezjes në sistemin qendror nervor.
Filip Duma, specialist nga kjo klinikë se bëhet fjalë për dy fëmijë, njëri 3 vjeç nga Gostivari dhe tjetri 4 vjeç nga Kërçova. Sipas tij, fëmijët u sollën në gjendje të rëndë dhe se ata kanë pasur grip, i cili më pas ka ndikuar në ngacmimin e sistemit qendror nervor.
“Këtë periudhë në klinikën për sëmundje të fëmijëve janë mjekuar dy fëmijë me komplikime të gripit, me ndezje të sistemit nervor qendror, janë mjekuar më shumë fëmijë por këto dy fëmijë për fat të keq për shkak të gjendjes së rëndë ndërruan jetë. Rezultati është vonuar për shkak të vërtetimeve laboratorike, që të sigurohemi se ka qenë prej virusit encefalitis i shkaktuar nga gripi”, theksoi mjeku Filip Duma.
Sipas tij, gripi më tepër ndikon dhe mund personat më të dobët, andaj ai rekomandon që të ndiqen dhe realizohen me kohë vaksinimet e fëmijëve.
Vladimir Mikic nga sektori për preventivë dhe sëmundje ngjitëse në kuadër të Institutit për Shëndetësi Publike thotë se gripi ka pasur përhapje të madhe në vend gjatë periudhës së muajve të fundit. Sipas tij, masa mbrojtëse është vaksinimi që duhet të bëhet posaçërisht tek fëmijët, sepse ata bëjnë pjesë te grupet e personave me rrezik nëse sëmuren nga gripi.
“Grupet e rrezikuar janë fëmijët e vegjël, personat më të vjetër se 65 vjet dhe të gjithë ata që kanë ndonjë sëmundje kronike, siç janë diabeti, sëmundja e sheqerit, sëmundje kardiovaskulare dhe sëmundje të kanaleve të frymëmarrjes si astma, dhe gjithë këto i përkasin grupeve me rrezik ku nëse iu bie gripi mund të sëmurën më keq si ndonjë infektim të dytë dhe në raste të tjera mund të përfundojnë me vdekje”, theksoi Mikic nga Instituti i Shëndetit Publik.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik , javën e parë të vitit 2017 janë të paraqitur 8067 të sëmurë nga gripi, për dallim nga java e fundit e vitit 2016 kanë qenë të lajmëruar 9485. Sipas këtyre shifrave ka ulje prej 15%, e kjo sidomos për shkak se është pushimi i dimëror i fëmijëve. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, më të prekur më shpesh nga gripi janë foshnjet dhe fëmijët e moshave deri në 4 vjeç.