Dy persona kanë goditur me grushte një punonjës policie në Kamëz. Blutë bëjnë me dije se kanë arrestuar shtetasin E. T., 34 vjeç, banues në Tiranë, si dhe proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasin R. N., 33 vjeç, banues në Kamëz.
Këta shtetas, mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:00, në rrugën “Foto Xhavella”, dyshohet se si pasojë e një konflikti të çastit, janë konfliktuar dhe kanë goditur me grushte një shtetas, (punonjës Policie jashtë shërbimit), i kanë marrë armën e shërbimit, dhe më pas janë larguar.
34-vjeçari është vetëdorëzuar më pas në Polici, ku ka dorëzuar dhe armën e punonjësit të Policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.