Nga Orjola Pampuri
Protesta e mjekeve të spitalit të traumës e ka vënë shoqërinë përballë dy standardeve që pushteti përdor për të bërë sikur lufton korrupsionin. Nga një anë, mbahen në burg mjekë profesionistë, që nuk kanë kërkuar lekë në këmbim të shërbimit, nga ana tjetër gëzojnë liri dhe shpenzojnë pa fre paratë e korrupsionit dhe trafikut të drogës bashkëpunëtorët e Edi Ramës, që nga ai vetë, tek ministrat, ish ministrat, kryetarë dhe ish kryetarë bashkish e deri tek drejtorët fuqiplotë që blenë vota në zgjedhje me paratë e korrupsionit.
Mjekët nuk janë armiku publik. Nuk janë mjekët ata që shpërdoruan paratë e termetit për të blerë vota. Nuk janë mjekët ata që dhanë leje ndërtimi dhe legalizime për të blerë vota.
Mjekët janë ata me të cilët luajti teatër gjatë pandemisë, duke i shpallur heronj dhe sot i përdor si koka turku për të treguar që këtu lufta ndaj korrupsionit është gjoja shumë e ashpër.
Sigurisht që jam kundër çdo forme të korrupsionit në çdo sistem, përfshirë ketu edhe shendetësinë, por sistemi nuk shërohet me fasada, as me aksione politike arrestimesh për shoë.
Kujt i ka rënë rasti të shohe kushtet ku mjekët punojnë në Spitalin e Traumës, e di shumë mirë së i pari që duhet ndëshkuar maksimalisht është Edi Rama.
Aty ku vijnë urgjenca civile, vijnë dhe pacientë të shoqëruar nga policë me masë arresti.
Aty ku presin familjarë, presin dhe grupe policësh, pa kushtet më minimale.
Në këtë kaos punojnë dhe ofrojnë sherbim mjekët, kirurgët, që kanë një pagë qesharake krahasuar me vendet fqinje.
Arrestimet për fasadë nuk jane zgjidhje. Janë propagandë.
Nëse do që të ndalë marrjen e rryshfetit në shendetësi, Edi Rama duhet të përmbushë detyrat kryesore të tij.
- Të rrisë pagat, të pakten, në standartet e vendeve fqinje.
- Të krijojë kushte normale pune në spitale.
- Të trajtojë me dinjitet mjekët dhe personelin shendetësor,
Mjekët meritojnë respekt dhe jo denigrim. Lufta kundër korrupsionit duhet të nisë nga koka! Nga zyra e kryeministrit, e ministres se shendetësisë dhe e të gjithë të tjerëve me radhë që kanë abuzuar me paratë e shqiptarëve, duke lënë në mjerim spitalet dhe duke braktisur qytetarët.