Gjykata e Lezhës ka vendosur masën e sigurisë “burg pa afat” për Flutura Berishën dhe Nikoll Shernikun, të arrestuar më 17 gusht në zonën e Kunës në afërsi të Shëngjinit.
Operacioni për arrestimin e tyre u zhvillua më 17 gusht me dyshimet e forta se do të kryhej një atentat.
Nikoll Sherniku, 28 vjeç u vu në pranga për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, ndërsa Flutura Berisha., 34 vjeçe, banuese në Kurbin, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Fillimisht policia pikasi mjetin e dyshimtë tip “Toyota” i blinduar dhe i parkuar në afërsi të një pallati në Kune, Shëngjin.
Sapo panë shërbimet e Policisë duke u afruar, personat që ishin brenda kanë dalë menjëherë nga automjeti dhe kanë tentuar të largohen me vrap. Gjatë tentativës për t’u larguar Flutura Berisha (drejtuesja e automjetit), ka tentuar njëkohësisht që të fshehë edhe një armë zjarri, në afërsi të vendit ku automjeti ishte i parkuar. Arma e zjarrit kallashnikov, së bashku me krehër e me fishek në fole, është gjetur më pas nga shërbimet e Policisë. Në automjet, së bashku me këta shtetas ka qenë edhe një i mitur 15 vjeç.
Në momentin e kapjes, Nikoll Sherniku. ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, në lidhje me implikimin e tij në ngjarjen e ndodhur në dhjetor 2021, ku mbeti i vrarë me armë zjarri ish-punonjësi i Policisë, shtetasi Xhuliano Prela. Bazuar në hetimet e deritanishme lindin dyshime se lëvizja e këtyre shtetasve me automjetin e blinduar, në role të ndryshme, ishte për të realizuar një ngjarje kriminale. Për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor, nuk bëhen të ditura të dhëna të tjera në lidhje me rastin. Grupi në fjalë dyshohet se i përket është pjesë e një rrjeti kriminal në zonën e Laçit.
Më 17 korrik, në Fushë Krujë u vranë në një atentat mafioz Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha. Brilant Martinaj, një nga viktimat e atentatit në Fushë Krujë, ishte i akuzuar për vrasjen e policit Xhulio Prela. 26-vjeçari Xhulio Prela u vra në datën 5 dhjetor në superstradën Lezhë-Laç në afërsi të fshatit Gajush, ku autori i dyshuar ishte Brilant Martinaj. Më parë një depozitë uji në banesën e Redion Hysës janë gjetur dy armë të cilat pas ekspertizës së bërë rezultoi se ishin të përdorura në vrasjen e Xhulio Prelës. Arma tip kallashnikov u përdor nga kushërinjtë Hysa për të qëlluar drejt kamerave të sigurisë të një karburanti që kishin filmuar vrasjen e efektivit, ndërsa arma tjetër tip pistolet TT pas ekspertizës balistike e provoi që ishte arma me të cilën i mori jetën efektivit të FNSH.
Ndërkohë Nikoll Sherniku u lirua pak kohë më parë për mungesë provash. Nikoll Sherniku u la në arrest shtëpie nga Gjykata e Lezhës së bashku me Sokol Hysën ndërsa Redion Hysa vijon të jetë në burg.
Shënjestër e atentatit të ndodhur në mbikalimin e Fushë-Krujës dyshohet të ketë qenë 22-vjeçari Brilant Martinaj, trupi i pajetë i të cilit së bashku me Besmir Hoxhën u shkrumbuan brenda automjetit me të cilin udhëtonin. Po ashtu Brilanti rezulton në kërkim për vrasjen e efektivit të FNSH-ve Xhulio Prela, por edhe një tjetër ish-efektivi të uniformave blu, 60-vjeçarit Xhelal Reçi.
Konflikti dy vite më parë me Xhulio Prelën dyshohet se nisi pas një sherri për dritat e gjata të makinës, pasi Prela, i cili po kthehej nga fshati Kosmaç i Shkodrës ndaloi teksa autorët i sinjalizuan me drita dhe elektrik dore. Duke menduar se ata mund të kishin nevojë për ndihmë, Prela ndaloi por u përball me plumbat nga një pistoletë TT e autorëve. Prokuroria tha se nga analiza e qelizave telefonike, ishte provuar se në vendngjarje ndodhej edhe Brilant Martinaj.
Duket se këto ngjarje janë të lidhura me njëra tjetrën dhe po përgatitej një hakmarrje. Megjithatë pritet që policia pas hetimeve të sqarojë të plotë se kush ishte shënjestra e radhës për tu eliminuar.
Burimi: Abcnews.al