Takimi në Shtëpinë e Bardhë, mes Kosovës dhe Serbisë, mund shtyhet në një datë të përshtatshme, në mënyrë që edhe presidenti Trump të jetë pjesë e tij.
Takimi i caktuar mes Kosovës dhe Serbisë më 2 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, me shumë gjasë do të shtyhet për dy ditë. Burime diplomatike të Gazetës Express bëjnë me dije se takimi mund të zhvendoset më datë 4 shtator.
Në të mund të marrë pjesë edhe vetë presidenti amerikan, Donald Trump. Ai tashmë është duke zhvilluar fushatën e tij për zgjedhjet presidenciale që mbahen në nëntor. Kosova është pajtuar për shtyrjen e takimit, ndërsa ka mbetur që edhe Serbia të japë qëndrimin e saj.
Aranzhimin e takimit mes Kosovës dhe Serbisë e kishte bërë të ditur Richard Grenell, emisar i Trumpit për dialogun. Këtë takim po e organizon këshilltari për Siguri Kombëtare i presidentit, Robert O’Brien.
Zyra e O’Brien ditë më parë i ka konfirmuar se në takim marrin pjesë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Deri më tani është spekuluar se nga Shtëpia e Bardhë, Kosova e Serbia mund të dalin me lloj-lloj marrëveshje, madje është përmendur edhe mundësia për një marrëveshje finale.
Kryeministri Hoti ka thënë se në takimin në Shtëpinë e Bardhë do të diskutohet “për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektivën ekonomike të Kosovës dhe rajonit”.
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciç, ka thënë se Serbia po merr pjesë për të diskutuar tema ekonomike. Një takim mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë ishte planifikuar të mbahet më 27 qershor, por u anulua pasi Prokuroria Speciale në Hagë njoftoi se ka dorëzuar aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit Hashim Thaçi, që veçse ishte nisur në Washington për takim.
Thaçi u kthye në gjysmë të rrugës dhe prej atij njoftimi ai nuk mori pjesë në asnjë takim jashtë Kosovës. Kosova e Serbia u kthyen pas dy vjetëve në tavolinën e bisedimeve të Bruksel, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, e aty morën pjesë kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiç.