E Enjtja e Madhe, darka e mbrame e Krishtit

0
54
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Sot është dita e parë e Treditëshit të Pashkëve, që shënon fillimin e misterit të mundimeve, vdekjes e ngjalljes së Jezu Krishtit. Papa Françesku kremtoi meshën e Bagmit paradite, ndërsa pasdite, atë të Darkës së Mbrame me ritin e larjes së këmbëve në burgun e Veletrit, pranë Romës, shkruan Radio Vatikani.

“E Enjtja e Madhe, – sipas Kishës Katolike, –  karakterizohet pikërisht nga Darka e Mbrame, themelimi i Eukaristisë dhe i meshtarisë. Me thyrjen e bukës e me verën, Krishti paralajmëron flijimin e tij për gjithë njerëzit, kalimin nga kjo botë tek Ati Qiellor. Ai është Qingji i Pashkëve, gati për t’u flijuar.

Në Egjipt, populli i lashtë i Izraelit kremtoi pashkët e tij të para: me gjakun e qingjit shpëtoi e u lirua nga zgjedha e faraonit.

Në Jeruzalem, Izraeli i ri kremton Pashkët e reja: me gjakun e Krishtit lirohet nga një zgjedhë edhe më e rëndë, ajo e Djallit, e mëkatit dhe e vdekjes.

Kur mbërrin ora e Tij, Jezusi ia dorëzon veten Atit Qiellor dhe të vetëve. Buka e Vera janë shenjat e një dashurie, që shtyhet deri në ekstrem.

Mesha e Bagmit hap Treditëshin e Pashkëve

Bagmi është vaj i pasuruar me erëra të mira, që pas bekimit, përdoret për kremtimin e Sakramenteve kryesore në Kishë: Pagëzimi, Krezmimi, Urdhëri Shenjt e Vajimi. Karakteristike, lutja, që thuhet në këtë rast. Papa e çdo ipeshkëv në dioqezën e vet i kërkon Zotit ta bekojë e ta shugurojë vajin, që “të dikohet mbi ta forca e Shpirtit Shenjt, me të cilin ka vajuar meshtarët, mbretërit, profetët dhe martirët”.

Ngjarjet e Treditëshit të Pashkëve

Ngjarjet e Treditëshit të Pashkëve i nxisin të krishterët, sipas shembullit të Jezu Krishtit, të bëhen apostuj të paqes në një botë shpesh të dhunshme e të paaftë për të falur e për të dashur.

Me të Enjten e Madhe e të Shenjtë, e njohur edhe si e Enjtja e Mistereve, filloi Treditëshi i Pashkëve, që arrin kulmin në vigjiljen, natën e Pashkëve dhe pastaj përfundon me Mbrëmësoren e dytë të së Dielës së Ngjalljes së Krishtit, të Dielën e Pashkëve.

Dita e Enjtes së Shenjtë të Pashkëve është e rezervuar për dy kremtime të veçanta, kremtimi parë bëhet në Kishat katedrale të dioqezave, sot paradite, për shugurimin Vajrave të Shenjta, bekimi i vajit të të sëmurëve, bekimi i vajit të katekumenëve dhe shugurimi i Krizmës që do të përdoret gjatë gjithë vitit të ardhshëm për Sakramentet e Pagëzimit, Krezmimit apo Përforcimit dhe Urdhrit të Shenjtë, dhe tre vajrat e tjera që përdoren për pagëzimin, vajosjen e të sëmurëve dhe për vajosjen e katekumenëve.

Kremtimin e kësaj liturgjie solemne e kryeson ipeshkvi dioqezan, rreth të cilit mblidhen priftërinjtë dhe diakonët, të cilët në pasdite kthehen në famullitë e tyre  kishtare për të kremtuar Meshën e mbrëmjes të Enjtes së Pashkëve, Meshën “in Coena Domini” – “Meshën e Darkës së Zotit Jezu Krishti me apostujt”.

Pra, Treditëshi është, këtë javë të madhe të Pashkëve, në qendër të vëmendjes në kremtimet liturgjike të Kishës, kremtime që janë kulmi i tërë vitit liturgjik, sepse përkujtojnë e kremtojnë mundimet, vdekjen mbi kryq dhe Ngjalljen e Jezu Krishtit – Shëlbuesit të njerëzimit. Kisha, që do të kremtojë, si çdo vit, ritet qendrore të Javës së Madhe të Pashkëve, na fton të reflektojmë mbi tri ditët e shenjta që – siç nënvizuam – përbëjnë thelbin e vitit liturgjik.

Janë 72 orët në të cilat, më shumë se kudo, feja e krishterë gjen arsyen më të thellë të qenies së vet. Ngjarjet e Treditëshit të Pashkëve, janë shprehja më e lartë e dashurisë së Zotit, që i japin zemrës njerëzore paqe e mirësi.

E Enjtja e Madhe, me Jezusin që na e dhuron plotësisht vetveten, duke na lënë Eukaristinë;

E Premtja e Madhe, me dramën e Udhës së Kryqit e të Kalvarit të Jezu Krishtit;

E Shtuna e Madhe, me heshtjen e thellë të varrit të Jezu Krishtit.

Secila nga tri ditët e mëdha të kësaj Jave të jashtëzakonshme të Pashkëve, na sjell kuptimin e thellë të jetës dhe të veprës shëlbimprurëse të Jezu Krishtit, si për shembull Mundimet e Krishtit me simbolin e tyre, Kryqin, që na flet për vdekjen dhe për shëlbimin.

Në misterin e Krishtit të Kryqëzuar, përmbushet ai kthim i Zotit kundra vetvetes, në të cilin ai dhurohet për ta ngritur përsëri njeriun e rrëzuar e për ta shpëtuar, dashuri kjo, e shprehur në formën e saj më rrënjësore. “Kryqi i Krishtit, shkruan Shën Leoni i Madh, është burim i të gjitha bekimeve, është shkaku i të gjitha hireve”.

Në se e Premtja është dita e Kryqit, e Enjtja mbyllet me Adhurimin që i çon të krishterët pranë Jezusit, i cili lutet në kopshtin e Gjetsemanit, i vetëm. Kjo ishte për të ora e braktisjes dhe e vetmisë, se nxënësit nuk qenë të zotët të rrinin zgjuar e të ruanin Mësuesin Hyjnor.

 

Zjarr Tv Ad