Euronews Albania ka zbardhur dosjen hetimore për çështjen në të cilën u vu në pranga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, drejtori juridik i Ministrisë së Financave, Fatmir Hoxhaj dhe përmbaruesi Alban Ruli.
Arrestimet u kryen pas hetimeve ndaj shtetasit Ilir Thana i cili akuzohet për mashtrim, ndërkohë hetimet kishin nisur edhe për zyrtarë të zyrës përmbarimore dhe Ministrisë së Financave të cilët me veprimet e bëra në kundërshtim me ligjin kanë shkaktuar një dëm ndaj buxhetit të shtetit që raportohet se kap shifrën e 1.2 milionë eurove.
Në dosjen hetimore, deklarohet se Ilir Thana bënte tërheqje thuajse çdo ditë nga llogaria e motrës së tij.
“Ilir Thana ka bërë tërheqje të shumta nga llogaria e motrës së tij, i pajisur me prokurë të posaçme duke bërë tërheqje thuajse çdo ditë të shumave që variojnë deri në 1 milion lekë të reja. Tërheqjet nga ky shtetas rezulton se janë kryer për periudhën 11.10.2022 deri në 14.12.2022.
Ka dyshime se veprimet e përmbaruesit të Ministrisë së Financave dhe personave të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga buxheti i shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur”, thuhet ndër të tjera.
Më 16 shtator 2022, ka dalë sërish një urdhër i brendshëm për bllokimin e fondeve buxhetore në shumën 145.583.781 lekë nënshtruar nga Elmira Feto, kryetare e Degës së Therasit Tiranë.
Më 7 tetor 2022, Ilir Thana i kërkon përmbaruesit Alban Ruli që çdo shumë që do të kreditohet, t’i dhurohet motrës së tij Shpresa Prifti.