BE i dhuron Kosovës shtretër spitalorë, komplete testesh dhe aparatura mjekësore

0
17
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Bashkimi Evropian i ka dhuruar Kosovës mijëra pajisje mjekësore, me qëllim të lehtësimit të luftës kundër koronavirusit të ri. Donacioni është shoqëruar me mesazhin për më shumë kujdes nga ana e qytetarëve, të cilët duken të pavetëdijshëm për pasojat vdekjeprurëse të sëmundjes. Koronavirusi në Kosovë ka prekur rreth 3 mijë persona deri tani e ka rezultuar fatale për 54 qytetarë që prej shfaqjes së rasteve të para më 13 mars. Për t’i ardhur në ndihmë sistemit shëndetësor në këtë periudhë të vështirë, Bashkimi Europian zyrtarizoi të enjten dhurimin e dhjetëra shtretërve spitalorë, aparaturave matëse e diagnostikuese dhe pajisjeve të tjera mjekësore. Donacioni përfshin 6 mijë komplete testesh për kovidin e ri dhe dhjetëra mijë maska kirurgjike për pacientët dhe stafin, teksa javën tjetër pritet dorëzimi i respiratorëve të nevojshëm. Në mesazhet përkrah ministrit të linjës dhe zyrtarit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, bëri thirrje për kujdes të shtuar qytetar.

“I gjithë ky është një donacion në vlerë 800 mijë euro, që vjen në kuadër të pakos 10-milionëshe. Por ju lutem respektoni kufizimet për të luftuar pandeminë. Për momentin shohim se kudo në Prishtinë dhe Kosovës njerëzit po dalin pa respektuar distancimin shoqëror, pa vendosur maska dhe pa qenë fare të vetëdijshëm për pasojat e mëvonshme.”Problematikën e ndërgjegjësimit qytetar për masat antikovid e pranoi edhe kreu i shëndetësisë kosovare, Armend Zemaj. Pikërisht mosbindja për masat, mohimi i sëmundjes për shkak se nuk ka prekur asnjë të afërm të tyre apo pandehja nga shtresa të caktuara se koronavirusi është një sëmundje e sajuar apo konspirative, mendohet ta ketë ndihmuar përhapjen e epidemisë në javët e fundit. “Mos dëgjoni ata që thërrasin për padëgjueshmëri ndaj vendimeve të Qeverisë, por ruani shëndetin dhe jetën tuaj dhe të familjes tuaj. Më i rëndësishëm është shëndeti sesa politika.” Vetëm gjatë ditës së mërkurë, në Kosovë rezultuan 113 persona pozitivë me koronavirus duke e rënduar situatën me të infektuarit në ambientet spitalore të vendit. Qeveria tani ka prezantuar masa të reja duke paralajmëruar rikthimin e masave rigoroze nëse ato vazhdojnë të mos respektohen. Me vendim qeverie, në Kosovë është kërkuar që administrata të reduktojë numrin e punonjësve, mbajtja e maskave, distanca fizike dhe higjiena personale janë të detyrueshme, si në institucionet shtetërore ashtu dhe në bizneset private, nuk do të lejohet grumbullimi i më shumë se 50 personave në ambiente të hapura dhe të mbyllura, ndërsa në ceremonitë mortore duhet të marrin pjesë vetëm rrethi i ngushtë familjar.

Zjarr Tv Ad