Një mama e shtatë fëmijëve në SHBA është dënuar me 28 vite burg pasi e çoi thjeshtrin e saj pesëvjeçar pranë vdekjes. Ajo e detyronte të vishte pampersa dhe e mbante atë në një dollap të vogël, ku rrallë ushqehej.
Tammi Bleimeyer, 37 vjeç, u gjet fajtore për plagosje ndaj fëmijëve. Mjekët thanë se e gjetën vogëlushin Jordan Bleimeyer thuajse pranë vdekjes. Ai peshonte vetëm 13 kg për shkak të mungesës së ushqimit. Ata e krahasuan vogëlushin me një të mbijetuar të Holokaustit. Babai i djalit, Bradley Bleimeyer, është shpallur fajtor më herët dhe është dënuar me 15 vite burg.
Historia doli në dritë kur një nga djemtë e Bleimeyer e denoncoi rastin tek autoritetet. Ai tha se Jordan po abuzohej nga mamaja e tij dhe njerku i tij 24-vjeçar.
Sot janë zbardhur edhe dëshmitë e fëmijëve të Bleimeyer. Djali Cody tha se u terrorizua kur hapi dollapin ku jetonte vogëlushi dhe e pa në atë gjendje.
“Fytyrën e kishte me shenja dhune. Nga goja i dilte shkumë. Nuk kam parë kurrë diçka kaq të rëndë në jetën time. Nëse nuk do e nxirrnim nga aty, nuk besoj se ai do mbijetonte”.
Cody tha se ai e dorëzoi Jordanin tek motra, Allison, për ta qetësuar teksa ai telefononte policinë. Allison tha: “Dukej sikur nuk mbaja gjë- ai ishte kaq i lehtë. Ishte e tmerrshme. I kishin mbetur vetëm kockat”.
Ajo tha se përpara se të merrnin guximin ta shpëtonin, ajo dhe Cody i fusnin fshehurazi ndonjë copë bukë vogëlushit kur mamaja nuk i shihte. Cody tha se ditën kur lajmëruan policinë, prindërit ishin tërbuar më herët pasi kishin hapur derën e dollapit pa lejen e tyre.
Bleimeyer, që ishte në muajin e gjashtë të shtatzënisë në atë kohë, e mori Jordanin nga shtëpia dhe u zhduk. Policia e pikasi në një motel. Djali 5-vjeçar ishte i mbushur me njolla mavi në trup. Mjekët thanë se ai ishte abuzuar fizikisht rregullisht.
Mjekët thanë se djali mund të kishte vdekur brenda pak ditësh nëse nuk do ishte shpëtuar.
Hetuesit thanë se Jordanit nuk i lejohej që të hante në tavolinën e familjes. Atij i jepej vetëm një copë bukë çdo ditë dhe ndonjëherë ia merrnin nëse nuk e hante shpejt. Djaloshi edhe drogohej nga babai që të mos bënte zhurmë kur në shtëpi vinin njerëzit. Në disa raste, atij ia kishin përplasur kokën në mur dhe e kishin goditur me elektrizues.
Jordan është bashkuar tani me mamanë biologjike. Fëmijët e Bleimeyer janë marrë nën kujdestari nga shërbimet sociale.