Analisti Besnik Mustafaj thotë se protesta e thirrur nga Sali Berisha në 7 korrik, vjen si një nevojë e Partisë Demokratike për të treguar forcën e saj, sa njerëz mund të mobilizojë ajo, pas zhvillimeve thuajse një vjeçare dhe ndryshimit të kupolës drejtuese.
“Besoj se do të shkonte shumë gjatë vera. Opozita ka nevojë të tregojë përpara pushimeve edhe forcën mobilizuese që ka. Është e dobishme për ta filluar vjeshtën me energji të reja”, u shpreh ai. Mustafaj foli dhe për deputetët që nuk u bënë pjesë e grupit të punës për protestën.
“Për mua është tregues i hezitimit. Po bëjnë një gabim serioz. Unë i kam miq. Ata presin që Berisha të negociojë me ta individualisht. Berisha nuk e bën kurrë këtë. Qasja që pati duke i përfshirë në grupet e punës ishte tregues se i quan të vetët. Për mua ishte një hap që nuk duhet ta lënë”, theksoi ai.
Lidhur me deklaratat e Berishës, i cili shprehet vazhdimisht me bindje se Rama do të largohet, Mustafaj thekson se për herë të parë sheh frikë te kreu i qeverisë.
“Unë e njoh Berishën, edhe në ‘97 dhe ‘98. Berisha në të njëjtën gjuhë fliste. Ai është i sinqertë i beson ato që thotë. Ajo që më bën të besoj te ato që thotë Berisha është frika që shoh te Edi Rama. Për herë të parë po insiston të përdorë SPAK për ta nxjerrë nga fusha e betejës Berishën”, theksoi Mustafaj në Abc News.