




Ambasadorja amerikane Yuri Kim, ka “zbarkuar” duke u bërë shkas që të ndërpritet mbledhja e KLP për disa momente. Mbledhje ku po dëgjohen kandidatët për kreun e SPAK dhe do të votohet për të zgjedhur drejtuesin e ri të këtij institucioni.





Prania e Kim në sallë është e paprecedent dhe dëshmi e një presioni direkt mbi anëtarët e KLP. Kim u ul në fund të sallës dhe dëgjoi pjesë nga prezantimi i kandidatit Edvin Kondili, ndërkohë që pas pak pritet votimi.





Ditët e fundit ka patur një përplasje në distancë mes ambasadores dhe kreut të qeverisë, Edi Rama. Kim ka bërë thirrje që të mos ketë ndërhyrje në procesin e zgjedhjes së SPAK, duke sugjeruar kështu që ka persona të interesuar për të kapur SPAK-un. Ajo deklaroi se ka takuar secilin prej anëtarëve të KLP, organit që zgjedh kreun e SPAK.





Ndërsa Edi Rama ka kërkuar që askush të mos ndërhyjë, përfshirë edhe ambasadën amerikane dhe u ka bërë thirrje anëtarëve të KLP të mos dëgjojnë askënd për këtë çështje, por vetëm prezantimet e kandidatëve.





Ka patur aludime nga analistë dhe media se kandidati që mbështet Kim dhe ambasada amerikane është Altin Dumani, çka në vetëvete tregon se institucionet e drejtësisë nuk janë të pavarura dhe se ka përpjekje dhe veprime të hapura nga disa aktorë për të ndikuar në to, përfshirë edhe ambasadën.