Racchel Bland është prezantuesja e lajmeve në BBC Radio 5 Live, e cila me historinë e saj dhe me mesazhin e lënë së fundmi ka prekur të gjithë. Ajo ka një kancer të pakurueshëm, ndërsa në rrjetet sociale zbuloi se ka vetëm pak ditë jetë.
40-vjeçarja u diagnostikua me kancer gjiri në Nëntor të 2016 dhe muajin e shkuar ajo tha se ishte në luftë me kohën për të publikuar një libër kujtimesh për djalin e saj 2 vjeç, Freddie dhe se besonte se kishte “më pak se një vit” jetë.
Prezantuesja drejton programin radiofonik “You, Me and the Big C”, së bashku me Deborah James dhe Lauren Mahon.
Përmes një postimi në Twitter ditën e djeshme, 40-vjeçarja u shpreh se dyshja do të vijonte drejtimin e programit.
“Kam frikë se koha ime ka ardhur miqtë e mi. Dhe krejt papritur. Kam vetëm pak ditë jetë, është vërtetë surreale. Faleminderit shumë për të gjithë mbështetjen që më keni dhënë”, shkroi Blend.
Lajmin e hidhur e përcolli edhe vetë BBC në një shkrim të botuar të hënën.