Ish- kryebashkiaku i Lushnjës ka ankimuar në Gjykatë Kushtetuese vendimin e Këshillit të Ministrave që e largoi nga detyra. Më 21 dhjetor trupa gjykuese pritet te marrë në shqyrtim padinë e ish kryebashkiakut socialist , i cili kërkon rikthimin në detyrë edhe pse prej muajsh ai ndodhet në qelitë e paraburgimit i akuzuar për korrupsion.
Më 6 Korrik Fatos Tushe ra në prangat e SPAK për shpërdorim të detyrës me akuzën e abuzimit me fondet publike për një tender që kap vlerën e 24 milionë lekeve.
Prokuroria e Posaçme, SPAK urdhëroi gjithashtu arrestimin e 4 vartësve të Tushës dhe dy biznesmenëve, ndërkohë që katër zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Lushnjes u lanë në masën e “arrestit në shtëpi” nga gjykata.
SPAK i nisi hetimet një vit më parë, nisur nga një referim i Policisë Gjyqësore për veprat penale të “korrupsionit pasiv”, “shkeljes së barazisë në tendera”, “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.
Tushe, një ish-deputet i Partisë Socialiste e drejtonte Bashkinë e Lushnjës prej vitit 2011. Në 31 dhjetor 2019, Tushe mbeti i plagosur pas një granate të hedhur në zyrën e tij nga një ish-shofer i bashkisë.
Tushe është një ndër zyrtarët më të lartë në detyrë të arrestuar deri më tani nga SPAK dhe operacioni u komentua nga ambasadorja e SHBA, Yuri Kim dhe kryeministri Edi Rama. Ky i fundit nuk vonoi dhe pa kaluar as 24 orë firmosi shkarkimin nga detyra të të zgjedhurit të tij socialist.