Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në mbledhjen e dy qeverive shqiptare në Prishtinë, veç falenderimeve zyrtare ka bërë edhe një enkas për homologun Kurti. Ai tha se ishte kënaqësi e veçantë të ishte sot në këtë takim, shkruan newsbomb.al.
“Është një kënaqësi e veçantë, edhe pse pak kush e beson, por që ne takohemi dhe kemi një sinergji të plotë, qeshim jo pak. Dua të them disa shifra që besoj janë domethënëse. Kur ne kemi nisur punën më nga afër me qeveritë e Kosovës, kemi pasur një volum të shkëmbimeve tregtare 160 milionë euro. Sot volumi është 433 milionë euro”, u shpreh Rama.
Po ashtu, kryeministri foli dhe për Portin e Thatë që do ndërtohet në Kosovë, ndërsa kabineteve të dy vendeve ju tha se problematikat e viteve të kaluara ishin zgjidhur. “Është e pajustifikueshme të kemi probleme siç kemi pasur deri vjet dhe radha të pafundme nëpër dogana për kontrollin një për një të makinave”, vijoi Edi Rama.
Kryeministri Rama në fjalën e tij u ndal dhe te projekti i Abetares së unifikuar për Kosovën dhe Shqipërinë, dhe gjithë vendet e tjera ku flitet e mësohet shqip. Kjo do të ndodhë në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, diasporë dhe në Serbi.