Kryeministri Edi Rama, deklaroi shkurt në Kuvend se Ilir Meta, duhet shkarkuar si President, pasi ka tradhtuar misionin e tij.
Ndryshe nga koha që kishte kërkuar prej 30 minutash, Edi Rama e ka mbyllur shpejt fjalën e tij për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, për të cilin tha se ndjen keqardhje, por i ka humbur të gjitha shanset që të kthehet në binarët e kushtetutshmërisë.
“Ilir Meta ka shembur institucionin e garantit të unitetit kombëtar. Ilir Meta ka dhunuar kufirin jetik të ndarjes së pushteteve në demokracinë tonë parlamentare.
Ka turpëruar Shqipërinë dhe popullin shqiptar në marrëdhënien krejt speciale me SHBA.
Ka shkarravitur fytyrën e shtetit shqiptar në marrëdhënie me bashkësitë ndërkombëtare në Shqipëria. I ka humbur përfundimisht të gjitha shanset që i janë dhënë për t’u kthyer në binarët e arsyes morale dhe ligjore. Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Ilir Metën.
Ndaj ky parlament duhet të ushtrojë vullnetin e më shumë se 90% të qytetarëve shqiptarëve. Keqardhje për mikun tim të dikurshëm Ilir, por tani të flasë parlamenti me votë”, u shpreh Kryeministri Rama.