Ndërkohë që në Shqipëri, ka nisur prej ditësh vaksinimi i i bluzave të bardha, Kryeministri Rama shprehet se; 140 shtete nuk kanë marrë ende asnjë dozë vaksinë.
Kreu i qeverisë, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, shprehet se; brenda marsit do jetë vaksinuar çdo mjek e infermier dhe më pas do të vijohet me vaksinimin e atyre mbi 80 vjeç. Rama tregon gjithashtu edhe se qeveria është optimiste se mund të merren sasi të tjera dozash, për të rritur numrin e vaksinimeve.
Kryeministri, nuk lë pa përmendur edhe ata që e kanë kritikuar gjatë kësaj kohe, duke u shprehur se fatkeqësi e madhe e këtij vendi, është helmi që prodhohet.
Postimi:
“140 shtete, ndër të cilat edhe shtete të rajonit tonë, nuk kanë marrë ende asnjë doze vaksine, ndërkohë që ne vazhdojmë vaksinimin e bluzave të bardha dhe të të moshuarve në shtëpitë e kujdesit shtetëror, si edhe personelit në shërbim të tyre
Brenda marsit do jetë vaksinuar çdo mjek e infermier, si edhe do jemi duke vijuar vaksinimin e +80 vjeçarëve, ndërkohë që jemi optimistë për marrjen njëkohësisht të sasive të tjera për të rritur numrin e vaksinimeve
Fatkeqësi e madhe e këtij vendi helmi që prodhohet pa ndalim e as turp, nga ata që e bëjnë përditë e më të ndjeshme mungesën e një vaksine kundër tërbimit të njeriut”, shkruan Rama.