Ditën e sotmë, Kryeministri i vendit Edi Rama, ka zhvilluar një takim me qytetarët në Korçë, ku është shprehur se; proceset e shtetbërjes ende sot duan kohën e tyre, duke shtuar se; ndër vite është humbur një gjeneratë, sepse nuk janë bërë gjërat e duhura.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama, ka folur për tregtinë e mishit, teksa ka thënë se nuk kemi pse presim deri sa të na hapë dyert BE-ja pasi “është e mundur që produktet tona të mishit të dalin në tregje të mëdha në Lindje, që nga Turqia në Lindjen e Mesme, e deri tutje.
“Ndaj na duhet një durim i madh për të kuptuar që proceset e shtetbërjes në të gjitha hallkat dhe ngritjes së zinxhirit të institucioneve, që të bëjnë punën e tyre, janë procese që kërkojnë kohën e tyre. Nuk është optimiste që të themi se në 3-4 vitet e ardhshme është e mundur që ne të kemi dalje në treg, por ne nuk jemi të detyruar të presim tregun e BE domosdoshmërisht, sepse ka tregje të tjera. Është e mundur që produktet tona të mishit të dalin në tregje të mëdha në Lindje, që nga Turqia në Lindjen e Mesme, e deri tutje.
Kështu që, besoj se ka shumë hapësirë, që puna juaj në këtë sektor, të jetë një revolucion. Janë ndërtuar shembujt që tregojnë se nëse bën gjërat e duhura këtu bën sukses, si një aktor në një treg të madh. Nëse pret që shteti t’i bëjë të gjitha, nuk bën dot sukses, ka marrë fund”, kështu është shprehur Kryeministri Edi Rama.