Edi Reja, stërvitja e parë e kuqezinjve vëzhgohet me dron

0
7

Pas listës paraprake të Kombëtares të publikuar ditën e sotme nga trajneri Edi Reja, tashmë po kryhet edhe seanca e parë stërvitore në këtë grumbullim paraprak. Në kompleksin “Tropikal” në Durrës, ku edhe po qëndron e grumbulluar Kombëtarja shqiptare, tekniku italian kishte një grup të reduktuar futbollistësh, pasi ende një pjesë e tyre janë në kampionate me skuadrat respektive.

Në 15 minutat e para, që ishin edhe të lira për mediat, lojtarët po bënin disa ushtrime me topin, dhe pikërisht për këtë gjë, ishin ndihmësit e Rejës që kërkonin më shumë shpejtësi në lëvizjen dhe pasimet e topit.

Në disa prej ushtrimeve, ekipi ishte i ndarë në tre grupe të vogla, ku njëri prej tyre mbikëqyrej nga Hamdi Salihi, tashmë ndihmës-trajner në përfaqësuese, një tjetër nga Ervin Bulku, edhe ky po në të njëjtin pozicion, ndërsa grupi i tretë vëzhgohej nga Serxhio Porrini, ish-mbrojtësi i Juves, tashmë në stafin e Rejës.

Vetë trajneri italian, qëndronte më i distancuar, për t’i ndjekur të gjitha grupet në momentet e pasimit dhe lëvizjes që kryenin lojtarët. Risi në këtë grumbullim, ishte edhe filmimi i stërvitjes me dron, për ta ndjekur edhe me pamje nga sipër, të gjithë seancën, në mënyrë që vetë Reja të bëjë një analizë sa më të mirë për lojtarët pjesëmarrës në këtë seancë.