GELANDA SHKURTAJ
Historia e njerëzimit mbushur me narrativë diku konspirative e diku tjetër luftërash makabre, njeh disa nga gjyqet më paradoksale të ndodhura ndonjëherë. Një nga ato është procesi që vetë nxënësit i bënë babait të Filozofisë, Sokratit, me akuzat për mosdjeshmëri ndaj zotave dhe për korrupsion ndaj të rinjve.
E para e fakteve kishte të bënte me besimin se orakulli i Delfit kishte thënë se nuk kishte burrë më të mençur se Sokrati, gjë të cilën ai vetë nuk e besonte, dhe shkelja që kishte bërë ishte sepse dilte nëpër Athinë për të pyetur nëse kishte ndonjë njeri më të mençur se ai vetë?. Akuza e korrupsionit bazohej se Sokrati kishte një mënyrë të pyeturit të drejtpërdrejtë të njerëzve, dhe fakti që përdorte sofizma i korruptonte ata, për këto ai u ndëshkua me helmim. Gjithsesi përpara gjyqit, duke shpotitur akuzuesit e tij, njëri prej të cilëve Anytus-i, politikan, ai tha një ndër fjalitë, që tingëllojnë aktuale edhe sot: “unë jam njeri tepër i ndershëm për të qenë politikan”.
Ky shembull, ku mendjet e ndritura u burgosën apo u dogjën nga turmat, e që për keqardhje është pasuar me të tjerë, vlen për të dhënë një mesazh të shkurtër: masat janë të përdorshme nga drejtuesit sipas moralit të këtyre të fundit: qoftë ai politik, ideologjik, fetar dhe në erën antropocene do të përdoren edhe sipas atyre që do drejtojnë përdorimin e inteligjencës artificiale. Fati i shoqërive kushtëzohet fort nga integriteti dhe statura e frymëzuesit.
Ndaj ajo çfarë udhërrëfyesi politik mund të bëj, në varësi të paktit moral që ka bërë me veten, është si të pozicionohet në binomin: moral i kushtëzuar nga e drejta në politikë, apo politikë interesash me moralin sa për sy e faqe?. Për të mbetur të kufizuar në habitatin tonë, shkolla e praktikës politike mëson se, në rokadën e konflikteve, kontradiktat qofshin brenda të njëjtit lloj apo edhe atyre rivale, nuk kanë treguar as edhe në një episod të izoluar, luftën parimore, edhe si koncept ligjor edhe si koncept moral. Ndaj në historinë e politikës moderne shqiptare, nuk vjen ndërmend asnjë emër politikani për tu përmendur si burrë shteti, apo shtetar!
Në narrativen qesharake të konfliktit PD kundër PD-së, filozofia në përmbajtje të mitologjisë reflekton thellë mbi atë çfarë ishin, janë dhe do të bëhen ata që frymëzojnë turmat e elektoratit kaotik, në raportin me demokracinë-autokracinë, kredo-n dhe ndershmërinë politike të liderit. Tejzgjatja e një konflikti, nëse në njërën anë vë fort në provë qëndrueshmërinë e të pasurit një kauzë, në kahun tjetër është një sprovë edhe e maturisë politike.
BASHA NË KRYE TË PD-SË (EDIPI MBRET)
Mitologjia ka një filozofi të mrekullueshme brenda saj. Kjo tragjedi në psikologjinë moderne nuk shihet vetëm si incesti brenda familjes, por njeh kthimin e karmës në gabimin fatal që babai bëri duke e braktisur djalin e tij foshnje, sepse dëgjoi orakullin Sfinge, për të mos e pasur atë rival në jetë. Djali madhor tanimë, kthehet në vendin ku e braktisën dhe vret babain në padijeni të lidhjes biologjike, po për rivalitet politik. Kështu, karma e manipulimit apo përdorimit të tjetrit, kthehet një ditë në aksiomën “do shlyesh atë që bëre”. Për të pasur një moral politik korrekt me zgjedhësit e saj, ora politike e PD-së duhet të kthehet në vjeshtën e vitit 2013, dhe të vërë të drejtën, aty ku mbeti.
Në një farsë demokracie, u shkelën hapur rivaliteti legjitim, meritokracia e mbi të gjitha sakrifica e atij lidershipi që besonte se PD kishte kauza të vërteta morale. Në këtë kahje, kjo karmë i ndëshkoi të dyja të padrejtat: edhe rivalitetin ilegjitim edhe katapultimin e padjersitur në pushtet. Miti i Edipit shihet në kah të kundërt, Berisha nuk “vrau” birin Basha, por, përkundrazi, me mbështetjen e foltoristëve zombi, skartoi rivalin Olldashi duke e bërë njëherësh moralin e forcës që drejtonte, të papastër në lojë dhe të pandershëm në parimet që ajo duhej të përfaqësonte. Biri i ardhur në pushtet, nuk kuptoi asnjëherë se arritja dhe mbajtja e fronit politik, kërkon punë e djersë, ndaj hedhur “festen mbi sy”, nuk u lodh të shkonte deri te baza për të kuptuar hallet dhe problemet e saj. Sot, përjashtuar qëndrimin korrekt në politikën e jashtme, ai duhet të kuptojë se nuk ka fituar asnjë betejë politike, për më tepër në një terren shumë të favorshëm. Për këtë arsye, baza e shëndoshë e PD-së, jashtë ekstremeve antagoniste, është skeptike ndaj aftësisë së tij për të drejtuar PD-në.
Besimi i masave nuk kthehet as me demagogji dhe as me strategji të mbështetura tek kredo e pakicave. Integriteti i tij politik, nuk duhej të kishte pranuar atë formë jo meritokrate të ardhjes në pushtet, qoftë edhe për të ditur ai vetë, se një ditë e vërteta do t’i kthehej. Basha mund të kishte qenë dhe ndofta mund të jetë, ndër liderët më të suksesshëm, por ai nuk e kaloi asnjëherë këtë sfidë, sepse ndofta “torta” e pushtetit e servirur pa lodhje e me ëmbëlsi, i shijoi më shumë. Në këtë këndvështrim, nëse historia i jep një shans në të ardhmen, për të vënë në vend moralin e humbur, ai mund ta bëj sot duke u tërhequr përpara cilitdo konditat që PD-ja zyrtare zgjedh të emërojë në një konkurrim të ligjshëm dhe të drejtë, pa ndikim as të tij dhe as të Berishës. Arsyeja është sa morale po aq edhe pragmatiste, e para sepse do t’i hiqte njëherë e përgjithmonë vetes, njollën e të rekomanduarit, gjë e cila përfaqëson modelin nepotik dhe që favorizon korrupsionin aq të minuar në Shqipëri.
E dyta, sepse vijimi i tij në lidershipin e PD-së së përçarë, nuk do të ndryshojë vota në favor të tij, gjë e cila as fitoren nuk e sjellë në PD, dhe as tërheq qëndrimin e elektoratit gri, i cili mund të përfshijë edhe të majtët e pakënaqur me pushtetin aktual. Zoti Basha nuk përfaqëson një alternativë as ndaj modelit Berisha në PD, që e drejtoi në vetë të parë dhe as të modelit aktual qeverisës.
CILI ËSHTË MODELI QË PD-JA DO DUHET TË PËRFAQËSOJE? (EDIPI NË KOLONË)
Po në pjesën e dytë të tragjedisë greke, ku Edipi tanimë i vënë në dijeni të vërtetës që i ishte mohuar që foshnje, i turpëruar deri në palcë, për një gabim për të cilin nuk pati faj kurrë, gjithsesi i vrarë thellë në ndërgjegje se shkoi në shtrat me nënën e tij, largohet nga Athina për në Kolonë dhe në shenjë përkulje ndaj perëndive, nxori sytë e tij. Sot psikologjia moderne, merret fort me thelbin e kësaj filozofie për të vënë në një plan krahasimor ligjin dhe moralin.
Jo më ligjin si një e drejtë, ku zbatimi i saj mbush burgjet plot, por ligjin si moral, që nënkupton respekt në parimet që duhet të qeverisin individin e më gjerë. Basha, nëse duhet t’i bëj një ndëshkim moralit të tij politik, këtë duhet ta bëj duke u kthyer në një kontribuues të thjeshtë, me forcën ndofta edhe më sfiduese, se i duhet të lajë një paragjykim për fronin e ofruar. Forma më e ndershme e moralit të tij politik, duhet të investohet në riformimin e PD-së, dhe mbi të gjitha kthimin në arenën politike si një forcë opozitare që ndjell besim, gjë e cila e ka stigmatizuar prej më se dhjetë vjetësh e nuk po sheh dritë.
Nëse orakulli politik i Berishës, ka rënë që ditën që shpalli veten naiv në “tradhtinë” e Bashës, orakulli i këtij të fundit ka një shpresë të ngrihet, nëse ai vetë kupton se mënyra se si u ngjit në fron dhe mbështetësit që iu servirën nga Berisha, janë dy modele që zgjedhësit shqiptarë, jo turmat, kanë vendosur t’i abandonojnë masivisht. Zgjedhjet e fundit janë dëshmi kokëforte e këtij vokacioni, kush nuk i pranon mund të bëjë një xhiro deri në hënë e të kthehet, të zgjojë dhjetëra rebelë “Facebook”-u e të bind veten para pasqyrës se shejtani i hoqi fatin e merituar PD-së. Modeli fitues i PD-së ka shumë prerogativa përpara, por në thelb ajo sot, duhet pashmangësisht të ndahet nga modeli BerishaBasha, ku të dy janë bashkërisht fajtorë, materialë dhe moralë për mosngritjen e saj. Edhe pse kahu politik udhëheqës, nuk ka dhënë ndonjë model më ndryshe nga politika kontrolluese vertikale, nga baza deri te maja, ajo çfarë Shqipëria pret nga një opozitë e shëndoshë, është pikërisht rrëzimi me themel i këtij modeli.
PD-ja edhe pse e nëpërkëmbur nga morali i saj i humbur, duhet të investojë të gjithë energjinë e saj për të krijuar një bazë me drejtues të aftë, të pakorruptuar dhe me moral të drejtë politik. Figura të reja që i kanë të gjitha potencialet, aftësitë e mbi të gjitha me integritet të lartë politik, PD-ja i ka, por ata nuk ngrihen dot nga ekstremistët “vulistë” e “foltoristë”, sepse te tempujt e tyre shohin rrugën e pastruar dhe fushore të karrierës politike, të udhëhequr nga lajtmotivi “mbushim xhepat sot, por kush pyet për Shqipërinë nesër”.