Kandidatja për kryetare e Partisë Demokratike, Edit Harxhi zhvilloi sot një takim me gratë demokrate, ku tha se ajo ka një plan dhe vizion tjetër lidhur me të ardhmen e PD-së.
Ajo tha se nëse do të votohej do të hapte partinë njësoj siç bëri Berisha në vitin 2005, duke rikthyer të djathtët në pushtet.
“Do të doja që PD të kishte një zonjë në krye, por sido që të ndodhë do të më keni në këtë shtëpi deri kur të kem frymën e fundit dhe jo në një parti tjetër. Kush ka mundësi të kthehet që është i djathtë të kthehet në këtë shtëpi. Gjithçka të zgjidhet me votë, edhe ata që kthehen të futen në votëbesim. Sikur e bëri Berisha në 2005, të hapen partia duke lënë të gjitha hatërmbetjet. Bashkim pa pasur paragjykim për ndasi, përveç të majtës. Duhet qarkullim elitash” tha ajo.
Gjatë takimit një grua kujtoi me lot vuajtjet në sistemim komunist dhe kërkoi nga Harxhi që të ulen gjakrat brenda PD-së.
“Unë jam demokrate. Ulni gjakrat. Nuk duam më sharje. Boll na ikën” tha ajo. “Unë dhe Basha kemi qenë miqtë më të mirë, në parti e dinë mirësinë time me Bashën, por kjo është cështje partie. Mos mendoni se do të bëja një përballje personale kundër Bashës dhe askujt”, tha ajo.
Kujtojme se në garë për postin e kryetarit të PD-së janë Lulzim Basha, Edith Harxhi, Fatbardh Kadilli dhe Agron Shehaj, ndërsa zgjedhjet do të zhvillohen në 13 qershor.