Ish-drejtor i Kabinetit në Presidencë, thotë se LSI ndryshoi emrin sepse misioni i kësaj force politike kishte përfunduar. Dje, ish-presidenti Meta mori drejtimin dhe njoftoi ndërrimin e emrit në Partia e Lirisë. I ftuar në Ora News, Edmond Panariti tha se situata në vend është më e rëndë se 5 vite më parë dhe tashmë LSI me ndryshimin e emrit është futur drejt një formësimi të ri politik.
“Ka ndryshuar LSI e cila tashmë është drejt një formësimi të një formacioni të ri politik, e quajtur Partia e Lirisë. Misioni I LSI-së është përfunduar, situata në Shqipëri nuk është më situata e para 5 viteve apo e më shumë viteve, por shumë më keq. Ne ndodhemi para një situate që do ta quaja krizë ekzistenciale. Këtë e lidh me shpopullimin e rëndë që po pëson vendi”, u shpreh ish-drejtori i Kabinetit të Metës.
Më tej, Edmond Panariti shtoi se shpopullimi është një emergjencë akute për brezin e ri dhe kthimi i shqiptarëve është misioni i Partisë së Lirisë.
“Kjo po kthehet në një emergjencë akute për brezin e ri dhe kjo është një dramë e madhe kombëtare. Zbrazja e vendit është cenim i sovranitetit të tij, i lirisë për të jetuar dhe për të ushtruar aktivitetin social ekonomik. Ne duam të kthejmë shqiptarët në Shqipëri, t’u mundësojmë atyre për të jetuar.”