Edmond TUPE: O Perëndi, çfarë mishmashi!

0
66
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

NGA EDMOND TUPE

Siç po e dëshmojnë qartas ngjarjet prej disa vitesh, por sidomos gjatë këtyre muajve të fundit, pra pas zgjedhjeve të 25 prillit, situata e përgjithshme në Republikën e Mavijosur të Shqipërisë mund dhe duhet të karakterizohet vetëm me një fjalë, vetëm me një emër, me atë “mishmash”, të cilën “Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) e përkufizon si “rrëmujë e madhe; çrregullim i plotë”.

Ç’është e vërteta, kjo rrëmujë e ky çrregullim vihen re, ia bëjnë muuuu (madje shpesh e më shpesh me shkronjën “t” në fund të kësaj fjale) në administrimin e punëve të shtetit, ku korrupsioni po thyen rekorde të  papara; në ekonomi, ku papunësia bën kërdinë aq sa jo vetëm të rinjtë e sapodiplomuar, por edhe kuadrot e kualifikuara po marrin përherë e më të shumtë udhët e mërgimit; në shtrenjtimin e jetesës deri në atë pikë saqë familje të tëra jetojnë nën minimumin jetik të të ardhurave; në shëndetësi, ku jemi njëri nga vendet në të cilët është regjistruar numri më i lartë i viktimave si pasojë e pandemisë së koronavirusit; në degradimin e pamëshirshëm të mjedisit me pasojë të pandreqshme dëmtimin e florës e të faunës etj., etj.

Mirëpo, edhe në rrafshin politik po vihet re një mishmash i pashoq: Nga njëra anë, e majta shqiptare, më saktë Partia Socialiste, është transformuar kryekëput (me “p” kjo fjalë, aspak me ndonjë tjetër germë në vend të saj) në një grupim që u bindet urdhrave të një njeriu të vetëm, të cilit vetja i duket i pagabueshëm, i pandëshkueshëm, i përjetshëm në pushtet! Kjo na kujton kohën e diktaturës komuniste kur Enver Hoxha ndihej pikërisht i pagabueshëm, i pandëshkueshëm, i përjetshëm në pushtet! Në atë kohë – që zgjati pothuajse pesëdhjetë vite – vendoste vetëm ai, pra NJËSHI.

Po sot, a nuk është Edi Rama NJËSHI, i cili, siç shprehet frëngu, “fait la pluie et le beau temps”, d.m.th. sjell sipas qejfit ose shiun, ose kohën me diell, pra që emëron e çemëron si t’i dojë qejfi ministra, zëvendësministra, ndërron mendim si mbreti kurtizanet etj., etj., duke qenë kësisoj krejt i paparashikueshëm, çka dëshmon për një mishmash sistematik në kokën e tij, por të administruar më së miri aq sa në gjirin e kësaj partie askush nuk guxon jo më t’i kundërvihet haptas NJËSHIT Rama (çka pati guximin ta bënte vetëm Ben Blushi vite më parë), por as ta mendojë një gjë të tillë? A nuk e provon këtë edhe loja “e ka kush e ka”, që NJËSHI Rama luan herë pas here me njëfarë suksesi edhe në nivel rajonal apo madje edhe europian?

Nga ana tjetër, duhet pranuar se mishmashi vihet re më shumë në radhët e së djathtës shqiptare, më saktë në gjirin e Partisë Demokratike, e cila, deri para se Departamenti Amerikan i Shtetit ta shpallte Sali Berishën persona non grata, ishte një grupim që i bindej jo de jure, por de facto NJËSHIT të saj historik. Por ja që ndodhi krisja e madhe në gjirin e kësaj partie: Nën trysninë e aleatëve amerikanë, Lulzim Basha e përjashtoi NJËSHIN historik të Partisë Demokratike nga grupi i saj parlamentar; NJËSHI historik reagoi fuqishëm kundër këtij përjashtimi dhe vazhdon me të gjitha forcat  një betejë të ashpër kundër Lulzim Bashës duke e demaskuar atë si aleat të Edi Ramës, pra si tradhtar të kauzës së demokratëve, çka ka shkaktuar një krisje në unitetin e Partisë Demokratike, krisje kjo që do të ndiqej nga një e dytë, vepër kjo e një fraksioni deputetësh, të cilët gjithsesi janë ende pjesë e Partisë Demokratike, por të distancuar prej kryetarit të saj.

Në këto rrethana, mund të duket disi e çuditshme deklarata e Sali Berishës, sipas së cilës partia e tij mund dhe duhet të ketë fraksione, çka tregon se ky i fundit ka ndryshuar mendim në krahasim me kohën kur i pati detyruar disa deputetë të Partisë Demokratike – të cilët nuk ndanin të njëjtit mendim me atë për sa u takonte disa çështjeve të rëndësishme – të largoheshin nga kjo parti për të themeluar Partinë Aleanca Demokratike. Sidoqoftë, duke e cilësuar Lulzim Bashën si tradhtar, NJËSHI historik i Partisë Demokratike harron se, sipas Voltaire-it, filozof frëng ky i shekullit XVIII, të bësh politikë do të thotë të sillesh ndonjëherë me kundërshtarët duke menduar se një ditë mund të ulesh për të diskutuar me ata, por edhe të sillesh ndonjëherë me aleatët duke menduar se një ditë mund të konfliktohesh me ata; veçse ai harron gjithashtu se d’Alembert-i, enciklopedist francez i shekullit XVIII, thotë se “politika është arti i të mashtruarit të njerëzve”!

Si përfundim, ende nuk i dihet se cila do të jetë e ardhmja e Partisë Demokratike, e Sali Berishës dhe e Lulzim Bashës, ende nuk dihet nëse do të funksionojnë fraksionet në gjirin e partisë së tyre jo vetëm të plasaritur, por edhe të krisur si në sipërfaqe, ashtu edhe në thellësi. Sidoqoftë, në këtë mishmash të frikshëm, vetëm NJËSHI i Partisë Socialiste fërkon barkun e nënbarkun tek i sheh kundërshtarët e vet politikë të ndërshqyhen botërisht, kjo ndërshqyerje i zgjat atij jetën, madje e shtyn atë të ndihet i përjetshëm në pushtet, e nxit atë ta ëndërrojë veten të ulur në fronin mbretëror, me skeptër në dorë e me kurorë në kokë si MBRET i shqiptarëve aq më tepër që, të paktën sipas zotit Kastriot Myftaraj në njërin prej emisioneve të tij “Ju flet Moska” të këtij muaji, NJËSHI i Partisë Socialiste na paska një lidhje të largët gjaku me Ahmet Zogun, naltmadhnin’ e dikurshme të shqiptarëve. O Perëndi, çfarë mishmashi!

Zjarr Tv Ad