Labët ende nuk e kanë mbledhur veten pas sherrit që plasi në Bilisht. Dy gola të anuluar për Devollin dhe një penallti në shtesë krijuan tension të madh në ndeshjen e luajtur për llogari të javës së 6-të.
Labëria edhe mund ta kishte fituar ndeshjen, nëse Albano Çaushaj do ta shndërronte në gol atë 11-metërsh të minutës së 108-të. E megjithatë, mesfushori e çoi jashtë dhe skuadrat ndanë barazimin.
Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, 32-vjeçari rrëfen se ndjeu presion psikologjik te pika e bardhë dhe pati një lloj frike për arbitrin. Sipas tij, ndeshja nuk duhet të kishte vazhduar, pasi arbitri u godit dy herë.
“Ndeshja duhet të ishte ndërprerë sapo filloi loja, kur një futbollist yni u godit në kokë. Në dy momente më pas, anësori u godit në kokë. Një person u fut në fushë, pasi kaloi edhe hekurat. Kishte diçka me vete që do ta nxirrte nga xhepi i xhupit. Gjyqtari e mbylli ndeshjen dhe nuk e vazhdoi më. Por i bënë presion ata dhe ai e rifilloi takimin. Ishin tifozët që e ndezën situatën nga një gol i anuluar. Nuk ishte i rregullt. Çdo gjë duket qartë në video. Dy golat që ata shënuan ishin pozicion jashtë loje, shumë të dukshme. U godit arbitri para një javë në Delvinë dhe Elbasani e mori në tavolinë fitoren. Këta u goditën dy herë dhe nuk e ndërpresin ndeshjen. S’e kuptoj këtë. Ndeshja duhej mbyllur aty. Nuk e di pse e vazhduan. Gjyqtari pati presion, pasi ata i dolën para. Nuk e lanë të futej në dhomat e zhveshjes. I çuan policinë dhe ai u kthye prapë. Çfarë prisnin të vritej fare, nuk e kuptoj. Mbylle ndeshjen! Po fale, pastaj ajo bëhet rrugë dhe nuk e mbledh dot më”, thekson Çaushaj.
PENALLTIA – Lojtari ndalet edhe te penalltia e humbur, që i hoqi mundësinë e fitores ekipit dhe premion prej 5 milionë lekësh. Deklaron se gjithçka erdhi nga presioni, por nuk ishte e qëllimshme. “Presioni ishte, pasi qenë minutat e fundit. Lojtarët vendës thoshin vazhdimisht ‘do ta humbësh’. Unë nuk e kisha nga frika që nuk e shënova. Nëse unë do të shënoja, ata do ta kishin me arbitrat dhe jo me mua. Por ishte thjesht ngarkesë, pasi kaluam shumë episode dhe ishte diçka psikologjike”, përfundon Çaushaj, që mori edhe të kuq pas përplasjes që pati me Përen. Ndërkaq, drejtues të klubit Labëria dhe trajneri Besmir Shabani, kanë udhëtuar dje drejt Tiranës. Ata kanë apeluar gjithçka që ndodhi, duke kërkuar ndeshjen në tavolinë.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL