Eksperti zbulon dy pistat e zhdukjes së Ervis Martinaj, hetimet përfundojnë në det

0
480
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ervin Karamuço, profesor dhe ekspert i njohur i Kriminologjisë, ka treguar dy pistat kryesore në të cilat janë zhvilluar hetimet e Policisë së Shtetit vitin e kaluar kur u njoftua zhdukja e Ervis Martinaj. Biznesmeni i basteve ka humbur gjurmët prej datës 9 Gusht 2022.

I ftuar në emisionin “Top Story”, Karamuço ka treguar se në bazë të informacioneve dhe të Shërbimit Informativ të Shtetit, hetimet janë përqendruar në dy pista të cilat të dyja përfundojnë në det.

“Hetimet që janë bërë vjet, që t’i themi gjërat, tani ka ikur çik koha. Hetimet që janë bërë vjet nga Policia e Shtetit, me disa informacione edhe të SHISH, kanë qenë më të shumta se ky person ka ikur përmes Durrësit, ku është pritur fillimisht nga një femër, e ka çuar në një shtëpi dhe pastaj që aty humbet të gjitha gjurmët.

Mund të ketë vajtur në Golem, ka marrë një motorskaf, ka vajtur në një anije në radë (zona portuale ku qëndrojnë anijet) dhe që andej është zhdukur komplet”, ky është varianti i parë, sipas të cilët Ervis Martinaj është gjallë.

Ndërkohë, pista e dytë sipas asaj që deklaroi profesori Ervin Karamuço përfundon përsëri në det, por në këtë rast biznesmeni i basteve mund të mos jetë gjallë. Duke ju referuar hetimeve, ai tha se Martinaj mund të jetë vrarë në Vlorë dhe është hedhur në mes të detit.

“Ose, varianti i dytë është që mbasi është zhdukur në Durrës, ka ardhur një furgon nga Vlora, e ka marrë dhe e kanë çuar në Vlorë. Aty pastaj është ekzekutuar dhe ndodhet në det. Këto janë dy mundësitë që ka sot aktualisht, por as njëra e as tjetra nuk është e provuar sepse nuk gjetet asnjë lloj prove”, u shpreh Ervin Karamuço.

Megjithatë, profesori theksoi se këto janë vetëm pista ku janë bazuar hetimet, por provat mungojnë për të dyja ndaj fati i Ervis Martinaj nuk dihet dhe gjithçka është rrethuar nga misteri.

Zjarr Tv Ad