Interpol Tirana ka ekstraduar nga Greqia, një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me 20 vite burg për veprat penale “Vrasja me dashje” kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe i municionit”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Vjedhja me dhunë”.
Gëzim Toma, 37 vjeç u arrestua falë bashkëpunimit me autoritetet policore greke më 29.11.2013, në Athinë, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, e ka dënuar këtë shtetas me 20 vite burg për tre veprat penale të lartpërmendura.
SI U ARRATIS NGA BURGU GËZIM TOMA
Shtetasi Gëzim Toma, ka qenë duke vuajtur dënimin në IEVP-Drenovë, për veprën penale “Vrasja me dashje” kryer në bashkëpunim, si autor i vrasjes së një 25 vjeçari, ngjarje e ndodhur në Krastë, Martanesh. Në datë 23.11.2013, duke kërcënuar me armë gardianët, ky shtetas është arratisur nga ambientet e burgut.
Admir Tafili, Fran Marashi, Gëzim Guri, Gëzim Toma, Reis Haxhiraj, Eduard Lulo dhe Artur Gora, nën kërcënimin e armëve çarmatosën gardianët, qëlluan me breshëri kallashnikovi për mosafrimin e rojave dhe më pas ikën nga Burgu i Drenovës. Tre të arratisurit, Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri, janë arrestuar sapo dolën nga burgu në një magazinë në periferi të Përrenjasit. Ndërsa i dënuari Artur Gora u arrestua pak orë pas arratisjes në Korçë, teksa udhëtonte me një taksi drejt fshatit Pojan, ku banon familja e tij.