Ekzaminohen zarfet nga Serbia, Thaçi: Vetëpërmbajtje deri në përfundimin e hetimeve

0
6

Autoritetet e Kosovës po koordinohen me ekspertë të huaj për të ekzaminuar fletëvotimet me substanca të dyshimta të ardhura nga Serbia. Ndërkohë që mbi 10 persona janë shtruar në spital me alergji, presidenti Thaçi apelon për mosdalje në konkluzione të gabuara. Serbia mohon akuzat dhe akuzon palën tjetër për sajesa.

Kosova do ngarkojë ekspertë të huaj për të ekzaminuar zarfet me vota nga Serbia që një ditë më parë shtruan në spital disa punonjës të KQZ-së.

Presidenti Hashim Thaçi deklaroi të hënën pas takimit me kryesuesit e komisionit të zgjedhjeve, kryeprokurorisë dhe shërbimit informativ se ngjarja duhet zbardhur plotësisht.

Kreu i shtetit ftoi mediet dhe forcat politike të mos dalin në konkluzione pa përfunduar hetimet.

Lajmin për helmimin e disa numëruesve u përhapën të dielën.

Dyshohet se ata ranë në kontakte me substanca kimike që ishin spërkatur në kutitë me mbi 3 mijë zarfe me vota të transportuara nga Serbia.

Pas hapjes së tyre, mbi 20 persona nisën të shfaqin shenja të reaksioneve alergjike me skuqje dhe kruarje në fytyrë e duar.

11 punonjës u dërguan në klinikën infektive të Prishtinës dhe po u nënshtrohen analizave toksikologjike për të kuptuar shkakun e alergjisë.

Kutitë nga Serbia janë një pjesë e vogël e mbi 15 mijë zarfeve që Kosova ka marrë nga diaspora me rastin e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Duke komentuar ngjarjen të hënën, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i konsideroi shpikje pretendimet e helmimit të kutive nga pala serbe dhe ngriti pyetjen se pse asnjë qytetar serb në qendrën e votimit nuk shfaqi simptomat e pacientëve të tjerë.

Ai tha se ka apeluar partnerët ndërkombëtarë të dënojnë veprimet e Kosovës që kanë për qëllim vetëm dëmtimin e partisë minoritare serbe në vend.