“Bonusi i bebes po shpërndahet në çdo maternitet në vend, në një sportel unik të gjendjes civile ku mund të regjistrohet menjëherë i porsalinduri”.
Deklarata u bë nga ministrja Manastirliu gjatë një inspektimi në maternitetin e Elbasanit, ku shpërndau çeqet e bebes për nenat e reja.
Me procedurën e re, prindërit e kryejnë regjistrimin e fëmijës së porsalindur në Maternitet në sportelin e gjendjes civile të hapura në 37 maternitete të vendit, duke lehtësuar dhe procedurën e regjistrimit të të porsalindurve.
Ministrja Manastirliu theksoi gjatë vizitës në spitalin e Elbasanit se po investohet në çdo spital rajonal.
“Po investojmë për përmirësimin e infrastrukturës në maternitete në të gjitha spitalet rajonale, me fokus tek përmirësimi i kujdesit për nënën dhe fëmijën.
Fuqizuam shërbimin e neonatologjisë me 29 inkubatorë te rinj dhe 8 eko obstetrike gjinekologjike”- tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë lajmëroi gjithashtu nisjen e investimeve në disa maternitete.
“Ndërtuam Maternitetin e ri të Sarandës, I cili ofron sot standardin më të lartë të shërbimit në vend.
Është drejt përfundimit Materniteti I ri I Korçës, i cili do të jetë gati brenda pak ditësh.
Do të vijojnë investimet për rijetësimin e rrjetit të materniteteve në vend me maternitetin e Beratit, Gjirokastrës, Lezhës, Matit dhe Pogradecit”, tha Manastirliu.
Politika e re sociale e Qeverisë e bonusit te bebes mbështet familjet e reja, me pagesën universale, e cila jepet për çdo familje, pavarësisht statusit social-ekonomik.
Pagesa për lindjen e fëmijës së parë është 40 mijë Lekë;
Për fëmijën e dytë 80 mijë Lekë;
Për fëmijën e tretë, të katërt e në vijim bonusi i bebes është 120 mijë Lekë për çdo fëmijë;
Për nënat që lindin binjakë masa e përftimit do të jetë në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë lekë) për secilin fëmijë;
Për nënat që lindin trinjakë dhe më shumë, masa e përftimit do të jetë në masën 120 000 (njëqind e njëzetë mijë lekë) për secilin fëmijë.
Bonusi I bebes është I ndarë në dy pjesë.
Çeku i parë përfitohet menjëherë (35 mijë lekë për fëmijën e parë; 75 mijë për fëmijën e dytë dhe 115 mijë për fëmijën e tretë) ndërsa çeku I dytë me vlerë 5 mijë lekë përfitohet pas regjistrimit të fëmijës në gjendjen civile.
Nëse fëmija regjistrohet me emër që në maternitet, pagesa e bonusit mund të merret menjëherë, e plotë, me çeljen e buxhetit 2019 në mesin e muajit janar.
Bonusi është universal, ndaj përfitohet nga të gjitha familjet, pavarësisht se ku vendos nëna që të sjellë në jetë fëmijën.
Për fëmijët që lindin në spitale private, në shtëpi ose jashtë vendit, çeku i bebes do të lëshohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale pas regjistrimit të të porsalindurit në zyrat e gjendjes civile.