Aktivistja Elona Caslli, me anë të një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, ka reaguar e revoltuar, pas një deklarate që ka bërë ambasadorja Yuri Kim, ku u kërkon shqiptarëve që të lajnë duart. Sipas Casllit, kush kjo zonjë që u kërkon shqiptarëve që të lajnë duart, kur këtë zakon shqiptarët e kanë mësuar që në vegjëli nga Nënat dhe Gjyshet e tyre. Ndër të tjera, Caslli thekson se; nëse shqiptarëve kjo zonjë u kërkon të lajnë duart, kjo duhet të lajë mendimet.
Reagimi i Casllit:
“Nëse shqiptarët duhet të lajnë duart, ju duhet të lani mendimin Yuri Kim, ambasada që ju përfaqësoni u është drejtuar shqiptarëve ne një gjuhë poshtëruese dhe fyese përmes një postimi në fejsbuk. Në këtë postim nxiten shqiptarët të lajnë duart dhe madje u serviret edhe një link që i mëson shqiptarët si të lajnë duart në gjashtë hapa. Kush jeni ju zonjë që i lejoni vetes kaq shumë kundrejt një populli?! Ç’të mirē i keni bërë njerëzimit që pretendoni njē tolerancë të pakufishme ndaj jush?!
Për dijeninë tuaj Yuri Kim, shqiptarët e kanë zakonin të larit të duarve. Ua kanë mësuar që në vegjëli nënat dhe gjyshet e tyre. Higjiena e duarve dhe e trupit ka qenë e pranishme tek shqiptarët para se ju të shfaqeshit në jetën e tyre.
Yuri Kim, ndonëse ju i këshilloni shqiptarët të lajnë duart, ekziston një realitet parelel ku studentët shqiptarë, mjekët shqiptarë, informaticienët shqiptarë, artistët shqiptarë e shumë të tjerë përballen me botën e qytetëruar krejt denjësisht dhe me duar të lara.
Post Scriptum’ Filtroni mendimin dhe fjalët zonjë para se t’u drejtoheni shqiptarëve. Në pamundësi për t’u siguruar atyre drejtësinë e premtuar, mund t’u kurseni poshtërimin e përbetuar”, shkruan Caslli.