Ka ende vatra aktive zjarri të shpërndara në të gjithë vendin.
Në 24 orët e fundit janë shënuar 11 vatra zjarri në Shkodër, Vlorë, Durrës, Elbasan, Berat, Tiranë, dhe Dibër.
Vatra që është ende aktive ndodhen në fshatin Lumzi, Pukë. Ndërsa në qarkun e Dibrës janë riaktivizuar 3 vatra zjarri dhe po punohet që të mos përhapen flakët.
Ndërsa në Poliçan ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha ndërsa zjarri ka marrë përmasa të mëdha dhe ka rrezikuar azilin e pleqëve.
Janë angazhuar 87 zjarrfikës me 5 automjete, 40 forca vullnetare, 30 forca të pyjores si dhe helikopterë, për shuarjen e zjarreve sipas Emergjencave Civile ndërsa theksohet se duhet mbajtur situata nën kontroll dhe në monitorim të vazhdueshëm sepse rreziku i zjarreve është ende i madh.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.
Situata sipas qarqeve
QARKU SHKODËR
Vatra e zjarrit në fshatin Lumzi, Pukë vijon të jetë ende aktive. Edhe pse forcat zjarrfikëse kanë punuar, ato nuk kanë mundur të vendosin nën kontroll zjarrin. Era e fortë ka drejtuar flakët për në fshatin Lumbardhë të Fushë-Arrëzit. Për shkak të terrenit të vështirë malor zjarrfikëset kanë punuar me mjete rrethanore. Në mbështetje në orët e para të mëngjesit ka shkuar edhe një helikopter që po punon për shuarjen e flakëve.
Zjarri i rënë në afërsi të pyllit me gështenja në fshatin Reç, Malësi e Madhe është shuar nga zjarrfikëset. Sipas informacionit si pasojë e flakëve është djegur një sipërfaqe prej 1 ha me shkurre.
Zjarri në fshatin Gajtan, Shkodër, ka vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme por nuk ka qenë problematik pasi vatrat kanë qenë tepër të vogla në një terren tepër të thyer dhe shumë larg banesave. Për shkak të terrenit malor zjarrfikëset nuk kanë mundur të ndërhyjnë.
QARKU DIBËR
Në vendin e quajtur Liqeni i Kallabes, në Parkun Kombëtar Lurë, ka rënë një zjarr. Për të shuar flakët janë angazhuar forca vullnetare të cilët me mjete rrethanore kanë punuar dhe kanë izoluar zjarrin. Forcat ende po vazhdojnë të punojnë për të shuar plotësisht flakët.
Dy vatra zjarri janë riaktivizuar sërish ditën e djeshme në Ballenjë dhe në Kaptin të Martaneshit, Bulqizë. Për të shuar zjarret njësia administrative ka angazhuar forca vullnetare të cilët kanë punuar për të izoluar flakët.
Vatra e zjarrit në fshatin Madhesh, Mat është riaktivizuar. Për shuarjen e zjarrit bashkia ka angazhuar forca e saj dhe forca vullnetare, të cilat kanë shuar atë.
QARKU BERAT
Në Poliçan ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Zjarri ka marrë përmasa të mëdha dhe ka rrezikuar azilin e pleqve. Për të shuar flakët është angazhuar edhe një helikopter. Zjarrfikëset në terren kanë punuar deri në orët e mbrëmjes për të shuar plotësisht vatrat e fshehura të zjarrit. Si pasojë janë djegur rreth 3 ha me shkurre dhe pisha.
QARKU VLORË
Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë në fshatin Qesarat, i cili është përhapur më pas në kullotat në fshatin Grazhdan dhe Malçan në Finiq. Për shuarjen e tij janë angazhuar 40 forca zjarrfikëse, të cilat kanë punuar me mjete rrethanore. Si pasojë e zjarrit është djegur rreth 50 ha sipërfaqe kullotë.
Në fshatin Blerimas, Delvinë, ka rënë zjarr. Si pasojë është djegur një sipërfaqe prej rreth 5 ha me jonxhë.
QARKU TIRANË
Në fshatin Pezë Helmës, Tiranë, ka pasur riaktivizim të një vatre zjarri dhe janë shfaqur edhe disa vatra të reja. Forcat e zjarrfikësve në bashkëpunim me ato të pyjores kanë mundur të shuajnë flakët. Si pasojë u dogj një sipërfaqe e vogël me shkurre e ferra.
QARKU ELBASAN
Në fshatin Bulçar, Gramsh, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra pranë një ullishte. Si pasojë e zjarrit është djegur vetëm një sipërfaqe prej rreth 2 dynym me shkurre dhe ferra.