Mazhoranca duket se ka vendosur të dërgojë për interpretim në komisionin e Venecias dekretin e presidentit për emërimin e Marsida Xhaferllarit në Gjykatën Kushtetuese. Krahas kësaj rrugëdalje nga konflikti e cila u rekomandua edhe nga ambasada amerikane, PS po mendon edhe për një skenar rezervë në mënyrë që anëtarët e SPAK të marrin detyrën në rast se dështon betimi tek presidenti.
Partia Socialiste do të çojë sërish Presidentin Ilir Meta në Komisionin e Venecias me qëllim interpretimin e konfliktit për Gjykatën Kushtetuese. Ashtu si ambasada amerikane në Tiranë edhe mazhoranca është e bindur se për emërimin e Marsida Xhaferllarit në Gjykatën Kushtetuese nga ana e Presidenti duhet të merret edhe opinioni i Venecias.
Balla: Sapo të jetë miratuar nga ana e Kuvendit zgjerimi i objektit të hetimit dhe të marrë kohën e nevojshme komisioni duke zgjatur edhe afatin e punës së komisionit, ti drejtohemi menjëherë Komisionit të Venecias me qëllim që ky institucion i gjithë pranuar për opinionet objektive të japë vlerësimin e vet.
Pas përplasjes për Kushtetuesen, ashtu siç kishte paralajmëruar më herët edhe Kryeministri, mazhoranca kërkon t’i paraprijë një skenari tjetër nga ana e Presidentit për ngritjen e SPAK-ut. Edhe anëtarët e Prokurorisë së Posaçme duhet të kalojnë nga zyra e Ilir Metës për të bërë betimin, ndërsa mazhoranca duket se ka menduar për një skenat zhbllokues.
Balla: Ne si Kuvend në ditët në vijim duhet të ndërmarrim hapat për shtimin e mekanizmave zhbllokues sa herë që një individ apo institucion ndërmerr hapa për të penguar çuarjen përpara të reformës në drejtësi.
Në rast se Kreu i Shtetit nuk do të thërrasë anëtarët për t’u betuar atëherë burime nga mazhoranca bëjnë me dije se pritet që t’i vendoset një afat kohor Kreut të Shtetit dhe Parlamentit. Pasi të përfundojë ky afat atëherë lista kalon automatikisht për emrat e dy institucioneve.