Emigrantët dynden drejt BE-së/ Bjellorusia lejon vërshimin e refugjatëve drejt Polonisë

0
34
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kufiri lindor i Bashkimit Evropian gjendet në pragun e një kri*ze humanitare, pasi prej muajsh po përballet me vërshimin e emigrantëve që tentojnë të kalojnë kufirin nga Bjellorusia drejt Polonisë.

Situata është përshkallëzuar ndjeshëm, teksa mijëra emigrantë kanë prerë telat me gjemba dhe kanë përdorur mjete rrethanore për të kapërcyer me çdo kusht kufirin. Qeveria polake vendosi 12,000 trupa në rajon.

Punonjësit polakë të rendit kanë spërkatur me kimikate refugjatë në përpjekje për t’i ndaluar, ndërsa këta të fundit goditën policët me sende të forta. Pamjet filmike nga mediat bjelloruse tregojnë njerëz që përdornin shtylla të gjata druri ose degë pemësh në përpjekje për të kapërcyer vijën kufitare, ndërsa helikopterë të policisë vëzhgonin situatën.

Vija kufitare është gjithashtu kufiri lindor i NATO-s, dhe rrjedhimisht grupet e mëdha të emigrantëve kontrollohen plotësisht nga shërbimet e sigurisë dhe ushtria. Qeveria polake akuzon presidentin e Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, se po vepron për të destabilizuar Poloninë dhe vendet e tjera të BE-së për t’i bërë presion bllokut që të heqë sanksionet ndaj Minskut. Sanksionet u vendosën, pasi Bjellorusia shtypi me dhunë protestat në mbështetje të demokracisë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen kërkoi sanksione të reja kundër regjimit në Minsk duke u shprehur se Lukashenko duhet të ndalë “instrumentalizimin cinik të emigrantëve”, për qëllime politike. Shefja e ekzekutivit në bllok, kërkoi nga shtetet anëtare të BE, miratimin e zgjerimit të rregullores së sanksioneve kundër autoriteteve bjelloruse, që sipas saj janë përgjegjëse për këtë sulm hibrid.

Që nga sezoni i verës, Polonia dhe Lituania janë përballur me mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika që përpiqen të kalojnë në Bashkimin Evropian. Polonia është përpjekur të bllokojë hyrjen e emigrantëve dhe t’i kthejë në Bjellorusi.

Zjarr Tv Ad