Emigrantët e “Open Arms”, zmbrapset Salvini: Të zbarkojnë vetëm minorenët

0
3

Të paktën 28 emigrantë minorenë të bllokuar në ujërat italiane prej mëse dy javësh do të zbarkojnë në portet e Lampeduzës. Vendimi u njoftua nga ministri i Brendshëm, Matteo Salvini, pas presionit të shefit të ekzekutivit. Situata në anijen humanitare “Open Arms” mbetet tejet alarmante për emigrantët e mbetur, të cilët sipas kapitenit të anijes janë gati të hidhen në det për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike.

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini, ka bërë një hap pas në debatin për zbarkimin e 134 emigrantëve që prej dy javësh presin të hyjnë në portet e vendit.

Pak orë pasi kryeministri,Giuseppe Conte, i shkroi një letër të dytë ku e kritikonte vartësin e tij se është i fiksuar me politikat kundër emigracionit, Salvini u përgjigj të shtunën se ka autorizuar evakuimin e pjesshëm të pasagjerëve të anijes humanitare “Open Arms” në portin italian të Lampeduzës.

Me urdhër të tij, do të nisë menjëheë zbarkimi i 28 emigrantëve minorenë nën moshën 18 vjeç, ndërsa nuk bëhen të njohur hapat për personat e tjerë.

Zhvillimet e fundit vijnë pak orë pasi prokuroria e Agrixhentos në Siçili dërgoi përfaqësuesit e tij, mes tyre edhe mjekë, për të mbikëqyrur nga afër situatën shëndetësore dhe higjieno-sanitare të udhëtarëve në anijen spanjolle.

Një ditë më parë, avokatët e ekipit që administron mjetin lundrues ngritën një padi kundër Salvinit, duke e akuzuar zëvendëskryeministrin për sekuestrim personi, dhunë dhe abuzim me pushtetin.

Anija “Open Arms” qëndron prej më shumë se dy javësh në ujërat italianë pasi i është refuzuar zbarkimi në ishullin e Lampeduzës.

Mësohet se gjendja psikologjike e emigrantëve është rënduar së tepërmi.

“Duan të hidhen në det, nuk po durojnë dot më. Çdo sekondë që kalojnë në anije është si një minë me sahat gati për të shpërthyer,” u shpreh të premten kapiteni i anijes.

Argumentet e ekuipazhit janë mbështetur edhe nga doktorët vendës, të cilët e konsiderojnë situatën shëndetësore të refugjatëve “emergjencë humanitare”.

Për zëvendëskryeministrin Salvini, “emergjencat” janë gjepura politike nëpërmjet të cilave kërkohet të sillen sa më shumë emigrantë në Itali.