Presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar një takim me ambasadorin britanik Alastair King-Smith ku kanë diskutuar në lidhje me marrëdhëniet mes dy vendeve.
Begaj shprehet se ka theksuar rëndësinë e iniciativave të përbashkëta për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve shqiptarë, veçanërisht të rinjve.
Kreu i shtetit thekson se është moment për investime konkrete për përmirësimin e zonave veriore të vendit për të krijuar premisa për një lëvizje dhe emigracion të rregullt.
“Zhvillova sot një takim me Ambasadorin britanik Alastair King-Smith, me të cilin biseduam për nevojën e rritjes dhe forcimit të marrëdhënies midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, në kuadër dhe të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve dypalëshe.
Gjatë takimit, theksova rëndësinë e iniciativave të përbashkëta që i vijnë në ndihmë qytetarëve shqiptarë dhe në mënyrë të veçantë të rinjve dhe mbështetjes së aspiratave të tyre.
Është momenti për projekte dhe investime konkrete që do të përmirësojnë jetën e banorëve në zonat veriore të vendit dhe do të krijojnë premisat për një lëvizje dhe emigracion të rregullt”, shkruan presidenti Begaj.
Apeli i tij vjen pas rritjes së numrit të shqiptarëve veçanërisht nga zonat veriore që kanë udhëtuar ilegalisht me gomone drejt Britanisë së Madhe duke rrezikuar jetën.