Një aksident i pahetuar, tejkalim afatesh për dy dosje, denoncime të qytetarëve dhe gjetja e problemeve me pasurinë kanë qenë disa nga elementët që kanë bërë të mundur shkarkimin e prokurores së Fierit, Violeta Shkurta.
Vendimi u mor dje nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili njoftoi se “pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancave dëgjimore në datën 24.11.2021 dhe në datë 25.2.2022 për subjektin e rivlerësimit, znj. Violeta Shkurta i bazuar në ligjin nr. 84/2016, në datën 28.2.2022, vendosi:
Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Znj. Violeta Shkurta, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Fier”.
Duke parë indicet e trupës gjykuese që shkarkuan prokuroren, ata kanë deklaruar një sërë të dhënash që lidhen jo vetëm me problemet në deklarimin e pasurisë për një vlerë prej 1.9 milionë lekësh, por në drejtim të KPK-së kishin shkuar edhe një sërë ankesash nga qytetarët.
Kjo shumë e padeklaruar me idenë e mosgjetjes së letrave të transfertave ka qenë një nga pikat ku është mbajtur trup gjykues për të shkarkuar prokuroren.




