Erdogan kërcënon sulme të fuqishme ndaj kurdëve

0
39

Presidenti turk, Erdogan ka kërcënuar se do të vazhdojë përpara me një operacion të fuqishëm kundër forcave të drejtuara nga kurdët në Siri nëse SHBA nuk mban premtimet për tërheqjen e ushtarëve deri në skadimin e afatit 5 ditor të armëpushimit.

Rreth 1300 ushtarë nga Forcat Demokratike Siriane (SDF) ende nuk kanë zbrazur zonën e sigurt të kufirit të propozuar nga Ankara, sipas kushteve të armëpushimit të bëra publike nga zv/presidenti i SHBA, Mike Pence.

Deklarata u bë nga presidenti Edrogan para se të udhëtonte me avion drejt Rusisë.

“Nuk ka vend për luftëtarët kurd në të ardhmen e Sirisë. Shpresojmë se me bashkëpunimin e Rusisë, do të shpëtojmë rajonin,”-tha ai.

Erdogan u takua me Vladimir Putin në qytetin e Detit të Zi, në Soçi të martën ku arritën “marrëveshjen historike” për të garantuar integritetin territorial dhe unitetin politik të Sirisë, si edhe për luftën kundër terrorizmit në këtë vend.

Sipas marrëveshjes, duke filluar nga ora 12 e mesditës së nesërme, 23 tetor, policia ushtarake ruse dhe rojet kufitare siriane do të hyjnë në anën siriane të kufirit turko-sirian, jashtë zonës së operacionit “Burimi i Paqes”, me qëllim për të lehtësuar nxjerrjen e elementëve të YPG/PKK-së dhe armëve të tyre 30 kilometra larg kufirit të Turqisë në veri të Sirisë. Marrëveshja duhet të finalizohet brenda 150 orëve.