Teksa Turqia është kthyer në qendër të vëmendjes botërore, për shkak të tensiove që vijon me Greqinë për përkatësinë e hapësirës detare, edhe politika është ndarë në dy pjesë, dhe figura rreth të cilës sillen mendimet pro dhe kundër është Rexhep Taip Erdogan.
Presidenti turk është shndërruar në objekt replikash edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku debati sa vjen e rritet pasi edhe zgjedhjet presidenciale po afrohen dhe kandidatët kanë ndezur motorrët.
Duke cituar qëndrimin e rivalit demokrat Joe Biden se do të mbështesë opozitën turke për të larguar nga pushteti Erdoganin, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se liderët autokratë nëpër botë mezi presin që kundërshtari i tij të zgjidhet president, pasi sipas Trump, ai është një lojtar i dobët në arenën ndërkombëtare.
“Putin, Presidenti i Kinës, Kim Jong-Un, Erdogani i Turqisë, të gjithë këta janë lojtarë kalibri të shahut. Të gjithë këta e ëndërrojnë Joe Biden”.
Deklaratat, Trump i bëri pasi shefi i zyrës për shtyp të Presidentit turk, Faretin Altun solli në vëmendje disa deklarata të Joe Biden të bëra në Dhjetor të vitit të kaluar. Biden kritikonte Trump që vazhdonte të mbante kontakte me Erdoganin, që po ndiqte kurs anti-perëndimor e anti-NATO duke bashkëpunuar me Rusinë e vende të tjera rivale.
Biden tha se do të mbështeste opozitën turke për të rrëzuar Erdoganin me zgjedhje të lira dhe jo me puçe. Alltun i quajti deklaratat si të papranueshme, aq më tepër që janë shprehur nga një kandidat për president në një vend aleat si Shtetet e Bashkuara.