Erdogan paralajmëron tjetër referendum për “dënimin me vdekje”

0
555
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka folur pas fitores së shpallur në referendumin historik që mbajti vendi, duke ritheksuar se tashmë radhën e ka rivendosja e dënimit me vdekje. Ai paralajmëroi se nëse dënimi me vdekje nuk do të vendosej pas votimit në parlament, Turqia do të mbante një tjetër referendum për këtë.

“Cila është puna e parë nesër?”, Pyeti Erdogan duke marrë përgjigje nga populli, “Dënimi me vdekje”. “Këtë e ka mbështetur edhe Kryeministri Yildirim edhe Kryetari i nacionalistëve Bahçeli,” tha ai. “Kjo është një kërkesë që më vjen vazhdimisht nga populli në mitingje”, tha Erdogan duke shtuar se nëse më vjen nga parlamenti një vendim i tillë “unë e miratoj.”

Erdogan tha se nëse kryetari i opozitës, Kemal Kilicaroglu do t‘a mbështesë vendimin për dënim me vdekje do të miratohej menjëherë, por “nëse nuk e mbështet, do të bëjmë edhe një referendum për këtë”.

Nëse Turqia vendos të rikthejë dënimin me vdekje, kjo do të thotë se i jep fund negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, i cili në mënyrë kategorike nuk i pranon në Union shtetet që praktikojnë dënimet të tilla.

Erdogan tha se sipas rezultateve jozyrtare rreth 25 milionë turq, 1,3 milionë më shumë se ata që votuan kundër, votuan pro ndryshimeve kushtetuese që do ta kthejnë Turqinë në Republikë presidenciale.

“Teksa në botë pjesëmarrja në votime është tek 50 përqindëshi, tek ne pjesëmarrja ishte 86 për qind….Presim që shtetet e tjera, veçanërisht aleatët tanë të pranojnë vendimin e popullit turk”, tha Erdogan i cili fillimisht mbajti një konferencë për shtyp dhe më pas iu drejtua me një fjalim mbështetësve të mbledhur para shtëpisë së tij në Stamboll.

Ndërsa mesazhi i Erdoganit për ata që akuzonin për manipulime ishte i qartë: “Mos u përpiqni më kot.”

Erdogani kujtoi edhe rrugën në të cilën kanë kaluar ndryshimet kushtetuese. “U gjuajtën shishe në parlament, por nuk ia dolën t’i bllokonin”, tha Erdgoan. “Thamë radhën e ka populli për të vendosur dhe ashtu ndodhi,” tha ai, duke shtuar se 51. 5 për qind e popullit turk vendosi pro vendimeve kushtetuese.

“Ky vendim nuk është një vendim i zakonshëm”, tha Erdogan, duke shtuar se Turqia i vendosi kapak një diskutimi shekullor mbi sistemin.

Zjarr Tv Ad