Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të mos nxitohet me akuzat ndaj Iranit për sulmet e 14 shtatorit në çisternat e naftës në Arabinë Saudite, duke thënë se nuk do të ishte e përshtatshme të hidhej e gjithë përgjegjësia mbi të.
“Unë nuk besoj se është e drejtë të fajësohet Irani”, tha Erdogan në një intervistë në kanalin televiziv Fox News me qendër në SHBA të mërkurën, duke shtuar se sulmet ishin nisur në zona të ndryshme të Jemenit.
“Nuk do të ishte mënyra e duhur për të vendosur gjithë peshën mbi Iranin. Sepse të dhënat që kemi nuk çojnë domosdoshmërisht në këtë përfundim, “shtoi ai.
SHBA, vendet e mëdha evropiane dhe Arabia Saudite kanë fajësuar Iranin për sulmin dhe jo rebelët shiitë jemenas, të cilët kanë marrë përgjegjësin për sulmin me dronë në Aramco, ndërmarrjen shtetërore të naftës të Arabisë Saudite.
Dje, Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite Adel al-Jubayr u tha gazetarëve se Riadi është “në konsultim me miqtë dhe partnerët për hapat që do të ndërmarrë”.