Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të premten se vendi i tij nuk e mbështet anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, duke treguar se Turqia mund të përdorë statusin e saj si anëtare e aleancës ushtarake perëndimore për të vënë veton ndaj lëvizjeve për pranimin e dy vendeve.
“Ne po ndjekim zhvillimet në lidhje me Suedinë dhe Finlandën, por nuk kemi një opinion të favorshëm”, u tha Erdogan gazetarëve.
Udhëheqësi turk e shpjegoi kundërshtimin e tij duke përmendur mbështetjen e supozuar të Suedisë dhe vendeve të tjera skandinave për militantët kurdë dhe të tjerët që Turqia i konsideron si terroristë.
Ai tha gjithashtu se nuk donte të përsëriste “gabimin” e kaluar të Turqisë që kur ajo ra dakord të ripranonte Greqinë në krahun ushtarak të NATO-s në vitin 1980. Ai pretendoi se veprimi e kishte lejuar Greqinë “të mbante një qëndrim kundër Turqisë duke marrë NATO-n pas saj
Erdogan nuk tha drejtpërdrejt se ai do të bllokonte çdo përpjekje për pranim që dy vendet nordike mund të bënin, por NATO i merr të gjitha vendimet e saj me konsensus, që do të thotë se secili nga 30 vendet anëtare ka një veto të mundshme se kush mund të bashkohet.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Finlanda dhe Suedia, nëse do të aplikojnë zyrtarisht për t’u bashkuar me organizatën më të madhe të sigurisë në botë, do të priten me krahë hapur.