Analisti dhe sociologu Ergys Mërtiri mbështeti kandidimin e Bashës për kryetar të PD-së, në zgjedhjet e planifikuara për në 29 korrik. Ai deklaroi në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se ai është i vetmi që ka një projekt për të bërë një distancim të thellë nga e kaluara berishiste e PD-së.
“PD-së i duhet një distancim i thellë, i madh nga e kaluara berishiste. Se kush e bën këtë është në plan dytësor. Unë nuk shoh figurë tjetër që ta ketë më me seriozitet për ta bërë këtë. Shoh dy palë që po ndeshen nga krahu i Vulës, njëra që ka një numër më të madh deputetësh dhe këtë kërkon ta përdorë kundër grupit të Bashës për të marrë ajo trashëgiminë e vulës me shpresën se nesër mund ta bashkojnë me krahun e varesë, apo të Foltores. Pra ka një romantizëm jashtë realitetit. Ky grupi tjetër kërkon të mbajë karriket e veta që duket se janë lëkundur se nuk i kanë as të krahu i vulës dhe as të krahu i aspirantëve të vulës që është pjesa e Foltores.
Në këtë mes i vetmi që ka një projekt politik që i duhet Partisë Demokratike është Lulzim Basha, i cili, për interesin e vet, sigurisht, ka si frymë, si projekt, distancimin nga e kaluara berishiste, që për mua është gjëja më e rëndësishme që mund t’i ndodhë opozitës shqiptare në këtë periudhë.
Flasim për pengmarrje, por kjo parti ka 32 vjet që është peng nga Sali Berisha dhe më në fund ka shansin që, për fatin e shqiptarëve, jo se këta janë të mirë, por qëlluan amerikanët që e ndanë këtë punë, tashmë është një mundësi që ta çlirojnë opozitën shqiptare nga kjo pengmarrje.
Se sa do të arrijnë nesër që të bëjnë një forcë të re, të rregullohen etj, unë mendoj se kjo është e mundshme, por kjo kërkon vullnet”, tha Mërtiri.